Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë në Sarandë ku po inspekton punimet për shëtitoren e qytetit.

Gjatë intervistës, kreu i qeverisë u shpreh se kalimi nga qyteti në qytet për të parë më nga afër punët është mënyra e tij e të jetuarit të politikës.

“…Mënyra ime për të qenë sa të mundem për të qenë në lartësinë e nderit që më kanë bërë njerëzit duke më vënë në krye.”

Ndërsa, sa i përket komenteve të opozitës që i quan vizitat e Ramës, turizëm elektoral, kryeministri u shpreh se është ky turizëm i tij që po i promovon zonat në të cilat po punohet.

“Ndërkohë që unë zhvilloj këtë turizëm që prej se kamë hyrë në zyrë, familja ime është pa mua. Nuk jam afër Lindës, afër Zahos, sakrificë në marrëdhëniet më të rëndësishme që e bëj në kënaqësinë e të qenit i zgjedhur për të sjellë ndryshime në të mirë të vendit me aq sa mundem.”

Sa i përket rikualifikimit uraban të shëtitores së Sarandës, Rama u shpreh: “Këtu po bëhet një punë vërtet e madhe për një transformim që shihet me sy që është rrënjësor në vijën bregdetare të Sarandës….Nuk di të ketë shkuar ndonjë analist në Nivicë për ta promovuar. Transformimet nuk sjellin vetëm kënaqësi në të parë por edhe të ardhura ekonomike.”

I pyetur se për çfarë do që të mbahet mend, kreu i qeverisë tha që dëshiron që të kujtohet për shtysën që e bën të mos dorëzohet.

“Shtysa kryesore e imja për të rezistuar për të mos u dorëzuar është kjo. Puna e bërë gjatë kohës që unë merrem me ketë punë të ketë një impakt për të lënë pas një kujtim të mirë.  I vetmi motiv që më mban.  Nëse do kthehesha nga e para, shumë gjëra do të ishin bërë ndryshe dhe më mirë. Njeriu është i destinuar që kur punon të gabojë. Rëndësi ka të mos përsërisë të njëjtat gabime.”