Faza e parë e testimit për studentët e Magjistraturës, shkollës që përgatit gjyqtarët dhe prokurorët, është shoqëruar me dyshime të forta për përzgjedhje selektive.

Në konkursin e zhvilluar ditën e djeshme kanë marrë pjesë  442 persona. Në përfundim të tij, testet janë korrigjuar përmes pajisjes scantron, nga ku kanë rezultuar 79 persona fitues. Mirëpo, 24 orë më vonë Shkolla e Magjistraturës ka publikuar një listë me 121 fitues. Shqetësimit të disa prej kandidatëve jo fitues, drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, i është përgjigjur se pajisja scantron nuk ka funksionuar si duhet dhe se disa nga tezat janë rivlerësuar.

Duke pretenduar mungesë transparencë dhe shkelje të rregullave të provimit një grup prej 27 kandidatësh kanë nënshkruar një peticion përmes të cilit kërkojnë ripërsëritjen e testimit.

Ditën e nesërme, 24 prill, Magjistratura zhvillon fazën e dytë të konkursit pranues për vitin shkollor 2024-2025.