Freedim House ka përgatitur një raport të posaçëm në lidhje me përndjekjen e kundërshtarëve të pushtetit të Erdoganit në Turqi duke numëruar mjaft raste të rrëmbimit apo deportimit të tyre nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit.

FH bën një analizë të raportit të pushtetit të Erdoganit me ata që cilësohen si kundërshtarë që janë arratisur në vendet e rajonit, përfshi Shqipërinë, duke theksuar se gjithçka u bë edhe më keq pas të ashtuquajturit grusht shteti të 15 korrikut 2016 në Turqi.

Raporti i emërtuar “Larg syve, por jo larg duarve” rendit rastet e rrëmbimit të gjashtë mësuesve turq në Kosovë përmes bashkëpunimit të elementëve të caktuar në AKI-në e Kosovës nën ndikimin e Thaçit dhe MIT-it të Turqisë.

Po ashtu, në raportin e FH përmendet rasti i mësuesit turk Harun Çelik, i cili i largua për në Turqi edhe pse kishte bërë kërkesë për azil në Turqi. Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe eurodeputetë, OKB, si edhe institucione të tjera të mbrojtjes së të drejtave të njeriut duke e akuzuar Shqipërinë për shkeljen e të drejtës themelore, atë të sigurisë fizike.

Ndër të tjera, raporti shkruan:

Pas grushtit të shtetit, shërbimi sekret turk MIT organizoi disa lista me titullin “terroristët më të kërkuar”. Listat përbëheshin kryesisht nga mësues turq si edhe anëtarë të komunitetit kurd, të cilët gjithashtu janë përndjekur në mënyrë sistematike në Turqi.

Po ashtu, FH rendit 116 raste të rrëmbimit apo deportimit të personave të ndryshëm turq nga vendet e tjera për në Turqi pas grushtit të shtetit.

“Bëhet fjalë për 27 shtete”, shkruan raporti i FH, ndërsa theksohet se nuk dihet ende fati i një pjese të përsonave të rrëmbyer.

Në lidhje me rrëmbimet përmenden edhe raste të tjera të ngjashme në Turqi, ku sipas FH ka dyshime të forta se mësues të konsideruar si mbështetës të Gylenit janë rrëmbyer në furgona të zinj dhe janë dërguar për t’u torturuar për muaj të tërë në bazat e shërbimit sekret MIT në qytete të ndryshme të Turqisë.

Në lidhje me Shqipërinë dhe Kosovën, raporti thekson se ndikimi i Turqisë në këto dy vende është tepër i madh, sidomos me qeverinë shqiptare për shkak të kontakteve të afërta Rama-Erdogan.