Në komunikimin e sotëm online, kryeministri Edi Rama foli për situatën e pandemisë së Covid, masat parandaluese si edhe mbledhjet për fushatat elektorale.

Gjatë konferencës Rama u pyet edhe për kërkesën e ambasadores amerikane Yuri Kim që Tom Doshi të mos kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Rama u shpreh i prerë për të mos iu përgjigjur pyetjes, ndërsa theksoi se sa herë që do të ketë pyetje për ambasadoren amerikane, nuk do të japë asnjë përgjigje.

“Sa herë do më pyesni për ambasadoren amerikane nuk do të jap asnjë përgjigje sepse është krijuar një ngjarje që nuk ekziston. Përgjigja ime është e qartë, s’ka nevojë të më vendosni ambasadoren amerikane për t’më kujtuar mua detyrën që kam. Nuk jap më asnjë përgjigje sa herë të më pyesni për ambasadoren amerikane”, tha ai.

Gjithashtu ai u pyet edhe për masa ndaj partive, politikanëve që marrin pjesë në tubime. Rama tha se deri më sot gjobat kanë qenë sporadike, ndërsa shtoi se partitë politike nuk duhet të kthehen për transmetues të virusit.

 “Çështja është e shumë aktiviteteve që nuk dalin në media dhe janë në shkelje. Deri tani gjobat kanë qenë shumë sporadike për partitë politike, daljet e Monika Kryemadhit kanë qenë spektakolare për të mos tërhequr vëmendje, por ka edhe të tjerë që nuk duken në ekrane, ndaj është e nevojshme që të ketë një shtrëngim sepse nëse vazhdon mund të kemi përhapje të shpejtë. Partitë politike minimumi që mund të bëjnë është mos bëhen transmetues të virusit”, tha Rama.