Reshjet e dendura të shiut prej orëve të mbrëmjes së të mërkurës, deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, kanë shkaktuar përmbytje në Vlorë. Ndërsa në Shkodër, lumi Buna ka dalë nga shtrati.

Problematika të mëdha janë paraqitur në disa akse rrugore të qytetit bregdetar. Raportohet se është përmbytur rruga pranë Portit të Vlorës, pranë rrugës “Albano dhe Romina” dhe Bibliotekës së qytetit.

Ndërsa në rrugën e zonës së Jonufrit, automjetet kalojnë me vështirësi për shkak të rrëzimit të pemëve.

Në një njoftim për mediat, thuhet se “transporti ndërkombëtar i udhëtarëve dhe mjeteve, vazhdon normalisht pa nderprerje”.

Problematike paraqitet situata edhe në qytetin e Shkodrës, ku dhjetëra hektarë janë nën ujë prej disa ditësh dhe reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, e kanë përkeqësuar situatën

Raportohet se lumi Buna ka dalë nga shtrati. Rritja e nivelit të ujit ka  krijuar vështirësi qarkullimi në disa lagje qytetit në pjesën veriperendimore, si në Livadhe, Xhabije, Tophanë, Zoteknikë, shtëpitë në lagjen Tepe, Perash.

Mësohet se ka rritje të prurjeve edhe të lumit Drin. Mbrëmë gjatë natës, në qytetin verior janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në qytet, mbi 10 familje, ku janë dërguar tek të afërmit e tyre dhe në strehime të tjera.

Gjithashtu, gjatë natës forcat zjarrëfikëse kanë punuar për largimin ujit nga shtëpitë, të cilat kanë patur prezencë uji në oborre, duke parandaluar dëmtimin e disa banesave.