Nga Dr. Erion Dasho

Nepali është një vend i varfër. Ka 28 milionë banorë dhe Prodhim të Brendshëm Bruto 1 mijë USD per capita, pra rreth 6 herë më të ulët se Shqipëria.

Dje më nevojitej testi PCR për të mbyllur periudhën e karantinës. Opsionet ishin dy, 10 dollarë në shtet dhe 20 dollarë në privat. Në spitalin e vogël privat, koha e pritjes nga mbërritja, regjistrimi, pagesa dhe marrja e tamponit nuk i kaloi 15 minutat.

Sigurisht nuk është si Gjermania, ku procesi zgjat më pak se 5 minuta, për arsye se në Gjermani regjistrimi dhe pagesa bëhen online. Por pasi përfundon këto dy procedura administrative, edhe në Nepal koha e marrjes së tamponit nuk zgjat më tepër se në Gjermani dhe korrektesa në komunikim nga ana e personelit po ashtu nuk ndryshon shumë.

Përgjigja erdhi për disa orë në formën e një emri përdoruesi dhe fjalëkalimi me anën e të cilave shkarkohej raporti i analizave në format PDF.

***

Nepali ka bërë progres edhe me vaksinimin. Për momentin kanë ardhur rreth 1 milion vaksina të AstraZeneca-s; priten 2 milionë vaksina nga COVAX-i dhe 500 mijë të tjera nga Kina.

Vaksinimi vazhdon me ritmet që mund të përballojë një sistem shëndetësor që vuan nga mungesa e personelit dhe logjistika sfiduese për shkak të terrenit të thyer dhe rrjetit rrugor jo cilësor.

Deri tani janë administruar 160 mijë doza vaksine me një mesatare rreth 10 mijë në ditë. Miqtë e mi mjekë me të cilët punoj e kanë bërë tashmë dozën e parë dhe po presin të dytën.

***

Në Shqipëri për të bërë testin PCR në shtet duhet të presësh disa ditë, kurse në privat duhet të paguash 80 dollarë. Në shtet je me fat në se përgjigja vjen pas katër ditësh.

Në sektorin publik, si për testin PCR, ashtu edhe për testin e shpejtë, ministria aplikon sistemin online të prenotimit, ku vendet ditore plotësohen sa hap e mbyll sytë. Në se teknologjia në Nepal përdoret për të nxitur kryerjen e sa më shumë testeve dhe lehtësuar njoftimin e rezultateve, në Shqipëri ndodh pikërisht e kundërta. Tek ne teknologjia synon të kufizojë numrin e testeve që mund të kryhen.

Pasojat janë katastrofike!

Rajonet e Tiranës me 80 deri 150 mijë banorë kanë në dispozicion 25 teste në ditë! Kolegët referojnë se duhet të zgjohen herët në mëngjes dhe të nisin një garë të ethshme me njëri-tjetrin për të bllokuar sa më shpejt vendet e disponueshme. Një mjek që nis punën pasdite, nuk ka asnjë shans të gjejë një vend të lirë për të testuar pacientët e vet.

Për paralelizëm, gjatë 15 minutave që prita, në spitalin e vogël në Nepal e bënë testin 10-12 persona. Besoj se vetëm ky spital bën rreth 100 apo më shumë teste në ditë.

Përsa i takon vaksinës në Shqipëri, në një muaj janë administruar 1,000 vaksina, 10 herë më pak se sa administrohen në Nepal në një ditë! Fakti që vaksinat kryhen në stadium, e bën situatën qesharake dhe nuk do koment të mëtejshëm.

***

Ka disa muaj që propaganda e shpifur rilindase po mundohet ta paraqesë sistemin shëndetësor shqiptar si modern dhe europian, por faktet tregojnë se Nepali i varfër ka një program më efektiv për kontrollin e COVID-it se ai që kanë nakatosur “europianët” e rilindjes.

Nepali mund të mburret se me testimin dhe vaksinimin për COVID, me dixhitalizimin e komunikimit me qytetarët, po mundohet t’i ngjajë Europës. Shqipëria është ende shumë larg edhe nga vetë Nepali!

Kur mundohem ta shoh problemin strategjikisht, kujtoj se kemi edhe një parametër tjetër që na përafron me Nepalin.

Shqipëria ka 1 mjek për një mijë banorë, Nepali ka 0.75. Problemi është se ndërsa Shqipëria shkon poshtë e më poshtë, Nepali në 20 vjet e ka pesëfishuar numrin e mjekëve. Me këto ritme, Shqipëria do të ketë shumë shpejt më pak mjekë për 1,000 banorë se Nepali.

Ndërkohë që Borati po propagandon “vizionin” 2030 dhe programin ekektoral, do t’i rekomandoja që para se të synojë Turqinë dhe Europën, bën mirë të mendojë fillimisht për të arritur vendet e varfëra të Azisë dhe Afrikës.

Në këtë rast, Nepalin…