Tashmë nuk ka më dilema. Dayot Upamecano është lojtari më i ri i Bayern Munchen. Ka qenë vetë klubi gjerman që ka konfirmuar firmën me lojtarin e shumë kërkuar përmes një postimi në “Twitter”.

22-vjeçari do t’i bashkohet bavarezëve nga data 1 korrik dhe për të do të paguhet klauzola prej 42.5 milionë eurosh. Upamecano ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Bayernin dhe është një nga mbrojtësit më premtues në të gjithë botën.

Kujtojmë që francezi kërkohej nga klube si Liverpool, Chelsea, Real Madrid apo Manchester United, por ai do të vazhdojë të qëndrojë në Bundesliga. Dayot numëron 139 ndeshje me RB Leipzig që nga viti 2017, kur u ble nga skuadra e Red Bull Salzburg.