Dy variante të SARS-CoV-2 u bashkuan dhe nga kombinimi i gjenomeve të tyre formuan një version hibrid të virusit me mutacion të fortë.

Kjo u zbulua në një mostër virusi në Kaliforni, e cila mund të çojë në hyrjen e një faze të re të koronavirusit, thuhet në një shkrim të publikuar nga La Stampa, citon Noa.al.

Veçanërisht, virusi hibrid është rezultat i rekombinimit të variantit shumë të transmetueshëm B.1.1.7 të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe variantit B.1.429, i cili ka origjinën në Kaliforni, dhe që mund të jetë përgjegjës për një valë të fundit të rasteve në Los Anxhelos.

Kjo pasi ai mbart një mutacion që e bën atë rezistent ndaj disa antitrupave. Versioni i ri i Sars-CoV-2 u zbulua nga Bette Korber i Laboratorit Kombëtar Los Alamos në New Mexico, dhe u raportua në një takim të organizuar nga Akademia e Shkencave e New York.

Nëse konfirmohet, do të jetë versioni i parë i rikombinuar që do të zbulohet në këtë pandemi. Në dhjetor dhe janar, dy grupe kërkimore raportuan në mënyrë të pavarur se nuk kishin parë ndonjë provë të rikombinimit, por frika ekziston sepse është një dukuri e zakonshme për koronavirusët.

Ndryshe nga mutacioni ‘normal’, ku ndryshimet grumbullohen një nga një, e cila është mënyra se si u ngritën variantet në zhvillim, ‘rikombinimi’ mund të sjellë së bashku mutacione të shumta në të njëjtën kohë.

Shumicën e kohës, këto nuk i japin asnjë avantazh virusit, por nganjëherë po. Rekombinimi mund të ketë një rëndësi të madhe evolucionare, sipas Francois Balloux të University College London.