Mjeku i njohur në QSUT, Edvin Prifti, ka ankimuar  përmes avokatit të tij në Gjykatën e Posaçme të Apelit, vendimin e GJKKO, e cila vendosi të shtunën ndaj tij, masën e sigurisë “arrest me burg” me akuzën e pastrimit të parave.

Në ankim, thuhet se vendimi i GJKKO ndaj mjekut, është i pambështetur në prova.

Në këtë mënyrë, kërkohet nga Apeli, shfuqizimi i kësaj mase sigurie dhe vendosja e masës ‘detyrim paraqitje’ si dhe kthimin e sasisë mnonetare, pasi sipas avokatit nuk janë prova apo sende që lidhen me veprat penale për të cilat mjeku po hetohet.

Kthimi i parave të sekuestruara dhe liria

Në këtë shkresë, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, mjeku thotë se vendimi i gjykatës për ta hetuar në burg, për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, është “procedurë e paligjshme dhe ka mungesë provash që e bëjnë të arsyeshëm dyshimin se Edvin Prifti ka kryer veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Ajo që kërkohet tjetër, është ndryshimi i vendimit të GJKKO për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues të “pezullimit të një detyre apo shërbimi publik” dhe të zëvendësohet me masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ndërsa si alternativë, kërkohet ndryshimi i vendimit të pezullimit nga detyra, me të njëjtën masë sigurimi, por duke i ndaluar pjesërisht të drejtën e ushtrimit të detyrës së mjekut vetëm në spitale shtetërore, për shkak të shmangies nga kriteri i proporcionalitetit.

Një tjetër kërkesë që mjeku Prifti ka paraqitur në Apelimin e vendimit ndaj tij, është edhe konsiderimi “i paligjshëm i kontrollit vetjak, të zyrës dhe pjesërisht banesës së të hetuarit, për shkak se nuk i është njoftuar letra e të drejtave dhe nuk është siguruar prania e detyrueshme e mbrojtësit gjatë kontrollit, si dhe kërkon t’i kthehen bashkëshortes së tij, “të hollat e sekuestruara në çantën e të hetuarit dhe në banesë për shkak se nuk janë prova materiale ose sende që lidhen me veprat penale për të cilat po hetohet”.

Sipas mjekut, këto të holla të sekuestruara “janë pjesërisht pasuri e ligjshme që buron nga një marrëdhënie juridike civile dhe diferenca eventuale, kursime familjare për të cilat nuk ka pengesë ligjore të mbahen në banesë”.

Përgjimet dhe dalja e emrit të tij

Emri i kardiologut, doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua disa ditë më parë me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Mjeku Prifti dyshohet se ka marrë ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.

Sekretarja Mallakuçi, ka qenë nën përgjim, pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha, por që nuk u lejua nga SPAK, duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.

Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur në telefon me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj.

Kjo gjë ka bërë që prokuroria të nisë një hetim për korrupsion për mjekuni. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë euro dhe 16 mln lekë cash në zyrë e shtëpi.