Bosi i “Camorra”-s Raffaele Cutolo ka vdekur dje në departamentin shëndetësor të burgut të Parmës në Itali.

Cutolo, i cili ishte një nga themeluesit e “Kamorrës së Re” të riorganizuar, ishte 79 vjeç. Gjendja shëndetësore e bosit mafioz ishte përkeqësuar verën e kaluar, aq sa u vendos të transferohej në sektorin shëndetësor të burgut.

Në pranverë, Gjykata Mbikëqyrëse e Bolonjës, i kishte mohuar përfitimin e arrestit shtëpiak. Ai ishte i burgosuri më i vjetër në regjimin “41 bis”.

Në periudhën e fundit, Cutolo ishte transferuar disa herë nga burgu në repartin e spitalit. Duke refuzuar kërkesën e fundit për shtyrjen e dënimit, të bërë nga mbrojtja e bosit për kushtet shëndetësore, Gjykata Mbikëqyrëse e Bolonjës kishte theksuar, në qershor 2020, se kushtet e tij ishin në përputhje me paraburgimin.

Por mediat raportojnë se pavarësisht moshës së tij, Cutolo ishte ende një simbol. “Mund të supozohet se prania e Raffaele Cutolos mund të forcojë grupet kriminale, grupe në lidhje me të cilat, ai ka mbajtur plotësisht karizmën”, shkruajnë gjykatësit.

“Pavarësisht nga mosha e tij dhe qëndrimi në burg, ai përfaqëson një ‘simbol’ për të gjitha ato grupe kriminale”, që vazhdojnë t’i referohen emrit të tij.

Cutolo ka një larmi pseudonimesh në Napoli, duke përfshirë ‘o Vangelo” (ungjilli), “o Principe” (princi), ‘o Professorore” (profesori).

Përveç 18 muajve në arrati, Cutolo jetoi brenda burgjeve të sigurisë maksimale ose burgjeve psikiatrike italiane që nga viti 1963. Ai ka vuajtur dënime të shumta përjetë për vrasje, plagosje, grabitje, trafik droge, shantazhe.

Ai lindi në Ottaviano, pranë Napolit, në 4 nëntor 1941 në një familje pa lidhje me mafien. Vrasjen e tij të parë e kreu në moshën 21-vjeçare, teksa kishte filluar të bëhej i dhunshëm, duke u vënë gjoba tregtarëve.

Teksa fitoi pushtet, Cutolo u shndërrua një nga njerëzit më të dhunshëm dhe të fuqishëm të botës së krimit në Napoli .