Gazetari Artan Hoxha i ftuar në studion e ABC përballë gazetares Juli Xhokaxhi, foli edhe për  rolin e botës së krimit gjatë fushatës zgjedhore.

Pyetjes së drejtuar nga gazetarja Juli Xhokaxhi se nëse do të përdoren apo jo paratë e kanabisit për fushatë, Hoxha tha se kjo ka ndodhur vazhdimisht në Shqipëri, ndërsa theksoi se pavarësisht dëshirës për pushtet, drejtuesit politikë duhet të mbajnë larg personat e botës së krimit: “Industria e kanabisit nuk ndikon vetëm me para, por edhe me votë të drejtpërdrejtë”, u shpreh gazetari Hoxha.

Më tej ai tha se këtë policia do ta ketë të vështirë kontrollin anti-canabis, edhe për shkak të angazhimit të saj në situatën e pandemisë.

“Pavarësisht etheve për pushtet drejtuesit politikë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mbajnë larg persona të botës së krimit. Sa më shumë do t’i afrohemi 25 prillit aq më shumë do ta ndjemë prezencën e tyre. Sot jemi fiks në momentin kur Policia e Shtetit fillon kontrollin anti-kanabis.

Duke qenë se është e angazhuar me gjobat për pandeminë apo fushatën, këtë vit do ta ketë më të vështirë. A do të përdoren paratë e kanabisit në fushatë? Sigurisht, kjo ka ndodhur edhe më parë, por edhe fuqia punëtore e kanabisit do të diktohet në fushatë. Industria e kanabisit nuk ndikon vetëm me para por edhe me votë të drejtpërdrejtë”, tha më tej Hoxha.