Një i ri shqiptar humbi tragjikisht jetën, teksa ngjitej për alpinizëm në malin Marmagna në Itali.

Mediat italiane raportojnë se 18-vjeçari Marinel Senka jetonte në Pontremoli.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të natës, ndërsa lajmi i hidhur tronditi gjithë komunitetin e asaj zone.

Po ashtu, mediat raportojnë se shqiptari ishte bashkë me 2 shokë të tjerë, të cilët ishin nisur nga Bosco di Corniglio, në zonën e Parmës.

Ata fatmirësisht nuk u lënduan. Mësohet se viktima ra në një humnerë, në të njëjtin vend ku po këtë muaj humbi jetën edhe një 60 vjeçar.

Era e fortë bëri të pamundur ndërhyrjen me helikopter, ndërsa trupi i tij u nxor në mbrëmje.