Meta përkujton tubimin e 2 marsit: Misionin tonë do ta çojmë deri në fund!

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar 1-vjetorin e tubimit të 2 marsit 2020, të thirrur nga vetë ai në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku i bëri thirrje qytetarëve të dalin në mbrojtje të Kushtetutës.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se këtë mision do ta çojë deri në fund përmes referendumit historik të 25 prillit, siç i cilëson ai zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Falënderim të përzemërt dhe mirënjohje të thellë, për të gjithë motrat dhe vëllezërit shqiptarë, të cilët një vit më parë ju përgjigjen thirrjes së Presidentit të Republikës, në mbrojtje të Kushtetutës dhe kundër grushtit të shtetit. Misionin tonë, të nisur më 2 mars 2020, për rivendosjen e sovranitetit të plotë të popullit shqiptar ndaj të gjitha institucioneve, do ta çojmë deri në fund, nëpërmjet referendumit historik të 25 prillit 2021! PRANVERA KUQEZI PO VJEN!”, shkruan Meta.

Në një intervistë televizive, Meta deklaroi dje se nëse Edi Rama do të fitojë mandatin e tretë pa prekur asnjë votë, ai do të largohet nga posti i presidentit për të kaluar në opozitë.