Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vlerësuar legjendën e “Labinotit” (sot Elbasani), dhe “Partizanit”, si dhe të ekipit tonë Kombëtar, Mihal Gjikën, me Titullin i lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Me të njëjtin titull vlerësoi edhe legjendën tjetër të Labinotit dhe një prej titullarëve kryesorë të Partizanit dhe ekipit Kombëtar, qendërmbrojtësin dhe mesfushorin e shquar, Ferdinand Lleshi.

Postimi i Presidentit Meta:

Të paharruara do të mbeten talenti, virtuoziteti, sukseset dhe rezultatet e shkëlqyera sportive të arritura nga futbollisti aq popullor dhe i pamposhtur Mihal Gjika, mjeshtri i mbrojtjes së ‘Labinotit’, ‘Partizanit’ dhe Ekipit Kombëtar.

Energjik dhe plot autoritet në çdo ndeshje të luajtur, betejat e ‘Lakes’ në fushën e blertë kujtohen edhe sot nga sportdashësit, veçanërisht për faktin se në çdo dyluftim ai dilte fitimtar, aq sa sulmuesit e të gjitha skuadrave duhet t’i bënin mirë llogaritë përpara se të ballafaqoheshin me mbrojtësin legjendar.

Në kujtesën e tifozëve janë memorizuar kryesisht debutimet e shkëlqyera të Mihal Gjikës në ndeshjet me të dyja Gjermanitë e asaj kohe, Rumaninë, Poloninë, Turqinë, Finlandën e shumë të tjera, që i rritën autoritetin sportiv dhe respektin e merituar të sportdashësve.

Në vlerësim të talentit, lojës së dalluar, shpirtit të rrallë të garës dhe rezultateve të jashtëzakonshme, që ngritën lart emrin e “Labinotit”, “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, pata nderin të çmoj Mihal Gjikën, me Titullin i lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Karriera e tij e suksesshme frymëzon edhe sot të rinjtë e të rejat e Elbasanit për të ecur në gjurmët e kësaj trashëgimie të vyer sportive.

Edhe Ferdinand Lleshit merr Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”

Kënaqësi të dekoroja legjendën e “Labinotit” dhe një prej titullarëve kryesorë të “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, qendërmbrojtësin dhe mesfushorin e shquar, Ferdinand Lleshi, sportist me personalitet të padiskutueshëm, me cilësi të rralla edhe si golashënues.

Edhe sot e kujtojmë kur falë këtij lideri plot eksperiencë, potencë dhe vizion, “Labinoti” arriti të udhëheqë kampionatin kombëtar deri në fund duke lënë pas jo vetëm tre skuadrat e kryeqytetit, por edhe ekipet më të mëdha të kohës.

Ai njihet jo vetëm si kampion i Shqipërisë me ‘Labinotin’, por edhe si fitues i Kupës së Republikës në një moshë tepër të re dhe si golashënuesi i dytë më i mirë i atyre viteve të lavdishme.

Në shenjë vlerësimi për cilësitë e spikatura në lojën e futbollit, si mesfushor dhe qendërmbrojtës, duke demonstruar në fushën e blertë aftësitë e tij të shkëlqyera të lojtarit profesionist e të suksesshëm, si dhe për kontributin e vyer të dhënë për zhvillimin cilësor të sportit në vendin tonë, i akordova Ferdinand Lleshit, Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.