Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë vizitës në Brindizi në 30-vjetorin e eksodit të shqiptarëve në Itali se 7 Marsi duhet të kthehet në traditë që çdo qeveri shqiptare që do të vijë ta vizitojë këtë vend. Rama u shpreh se do t’i kërkojë bashkisë së Brindizit një hapësirë kudoqoftë për ta kthyer në muze për të kujtuar historinë që u kthye në një nga mësuesit më të mëdhenj të solidaritetit.

“Mbi të gjitha faleminderit të gjithëve që jeni këtu dhe për këtë mikpritje të jashtëzakonshme. Faleminderit kryetarit të Bashkisë që mori masa, kemi diell sot në këtë ditë të rëndësishme. AJo që ndodhi atë ditë është një shembull njerëzimi për të gjithë që duhet t’u tregohet të gjithëve që nuk është frika por dashuria ajo që e siguron të ardhmen për të fëmijët.

Di që nuk mund të marrim masa, por do doja të thoja këtu që ne duam që këtë datë 7 Mars ta kthejmë në një datë të një vizite të detyrueshme të qeverisë shqiptare në Brindizi për t’i shprehur mirënjohjen e përjetshme dhe për të mos lënë që kjo histori të harrohet.

 Është një e ardhme për fëmijët tanë që nëse nuk mbajnë mend atë që kanë bërë prindërit e tyre do bëjnë gabim. Në Shqipëri 7 Marsi është dita e mësuesve dhe ai 7 Mars është bërë një ndër mësuesit e mëdhenj të solidaritetit të njerëzve të thjeshtë që atë treguan që është politika që shpërndan frikën dhe jo njerëzit e thjeshtë.

Problemi janë ata politikanë që përhapin urrejtje dhe frikë. Shpresojmë që bashkia e Brindizit që të na japë hapësirë për të bërë një muze të vogël për nder të kësaj historie që duhet ta shohin shumë vizitorë”, tha Rama.