Një akuzë e rëndë erdhi për Shqipërinë nga qeveria e Iranit e cila deklaroi se vendi ynë është mbushur me vrasës dhe terroristë të huaj që është provuar se kanë marrë mijëra jetë njerëzish.

Akuza e fortë e Teheranit erdhi këto ditë pasi Shqipëria deklaroi në Kombet e Bashkuara se Irani është duke shkelur të drejtat e njeriut. Për më tepër, përfaqësuesi shqiptar në OKB tha se Irani është kthyer në një strehë terroriste.

Kreu i Këshillit Suprem të të Drejtave të Njeriut të Iranit, Ali Bakeri Kani, duke kritikuar ashpër vërejtjet e zyrtarëve shqiptarë, tha se Shqipëria ka një rekord të zi të shkeljes së të drejtave të njeriut ndaj dhe nuk ka të drejtë të flasë për çështje të tilla për vendet e tjera.

Kani tha se megjithëse Shqipëria ishte në dijeni të krimeve të panumërta të kryera nga grupi terrorist Muxhahedin, ajo ra dakord të krijojë një strukturë për ti strehuar mijëra muxhahidinë në territorin shqiptar.

“Një grup i armatosur që vrau më shumë se 17,000 gra, fëmijë dhe civilë të tjerë dhe të gjitha këto të dokumentuara, dokumente që u janë paraqitur shumë herë organizatave ndërkombëtare,” tha Bakeri. 

MEK – Organizata Popullore e Muxhahedinëve të Iranit ka gjetur strehë në Shqipëri me të paktën 3 mijë persona që jetojnë në një kompleks rezidencial të ndërtuar në Manzë, nën masa të forta sigurie. Vite më parë ata trajtoheshin si kriminelë terroristë nga SHBA. Por më tej bënë aleancë dhe qeveria amerikane financoi strehimin e tyre në Shqipëri.