Për të dytin vit radhazi dita e verës shkëputet nga tradita e grumbullimeve për t’u festuar ndryshe.

Në kushtet e pandemisë, ashtu si një vit më parë kur virusi sapo kishte shpërthyer në Shqipëri, edhe këtë vit festa e Ditës së Verës e cila është traditë kryesisht në qytetin e Elbasanit do duhet të kremtohet duke ruajtur distancën fizike.

Në mungesë të koncerteve, lojërave dhe panaireve dhe në momentin që në rrugë nuk kishte asnjë person për shkak të orës policore, bashkia e Elbasanit mbrëmjen e djeshme hodhi fishekzjarrët.

Çfarë është dita e Verës

Që në kohët antike,

festa e Ditës së Verës, ka qenë traditë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit, veçanërisht në Tiranë.

Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit, herët në mëngjes, hapnin derën e shtëpisë dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar.

Fëmijëve u bëheshin rroba të reja për këto ditë dhe në dorë u lidhej verorja, e cila formohej nga ndërthurja e disa fijeve peri apo mendafshi disa ngjyrëshe. Gatimi tradicional i kësaj feste është ballokumja.