Kryeministri Edi Rama ju bashkua këtë të diel festimeve tradicionale që mbahen në qytetin e Elbasanit, me rastin e Ditës së Verës.

Ai mbërriti në të njëjtën kohë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa kjo shkaktoi edhe incidente mes militantëve.

Rama ishte i shoqëruar nga deputetët socialistë dhe nga kryetari i bashkisë së Elbasanit.

Pasi dënoi incidentin, duke thënë se ato u nxitën nga opozita, Rama vizitoi panairin tradicional të ngritur në  bulevardin kryesor dhe u përshëndet me banorë dhe sipërmarrës të zonës që kishin ekspozuar prodhimet e tyre tradicionale.

Në një kohë kur kjo festë nuk po kremtohet si zakonisht për shkak të pandemisë, edhe urimi i kreu të qeverisë ishte që vera të jetë më e lehtësuar sa i përket situatës me koronavirusin. Gjatë një prononcimi për mediat, Rama tha se qeveria po bën maksimumin për të garantuar vaksinim sa më intensiv.

“Unë jam këtu për të respektuar një traditë të kësaj feste që është kthyer në festë kombëtare prej kohësh. Jam këtu për t’i uruar të gjithë pa përjashtim, pa dallim bindjesh politike, pa dallim besimesh apo prejardhjesh që të kenë një festën të gëzuar dhe të kenë një verë të gëzuar. Unë dhe ne po përpiqemi çmos që vera të jetë një verë e lehtësuar nga pesha e rëndë e situatës së imponuar nga armiku i padukshëm. Jemi duke bërë çmos që të garantojmë një vaksinim sa më intensiv duke sjellë sasi të konsiderueshme vaksinash”.

Pas mjekëve, dje nisi vaksinimi i mësuesve, ndërsa së shpejti Rama premtoi se do të vaksinohen edhe pensionistët dhe kategoritë e tjera të popullsisë, duke premtuar se në verë situata do të jetë shumë më e lehtësuar se ajo aktuale.

Rama u shpreh se qëllimi është që të realizohet vaksinimi i popullsisë njësoj si shumë vende të tjera të BE-së.

“Është në rendin e ditës sime sa hap sytë dhe është mendimi i fundit përpara se të fle ato orë të pakta që të garantojmë dozat e konsiderueshme dhe ë vaksinojmë në mënyrë të konsiderueshme që vera të jetë si kjo ditë e bukur dhe që e ardhmja e afërt të jetë e çliruar nga makthi dhe goditjet që virusi bën në familjet e njerëzve tanë dhe deri duke marrë edhe jetë njerëzish”.

“Kjo është arsyeja pse jam këtu dhe kjo është A dhe Zh e ditës sime, të bëjmë këtë verë, një verë sa më të lehtë dhe ta çajmë rrethimin e virusit as më shumë as më pak, por në të njëjtën kohë si në shumë vend të BE-së”, tha kryeministri Edi Rama.