Sherri fizik mes militantëve sot në Elbasan është shoqëruar me replika mes dy liderëve të partive kryesore në vend, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Rama, pasi ky i fundit tha se Basha nuk është lider, por i emëruar nga Berisha dhe Meta në krye të opozitës, prandaj të paktën duhet të bëhet burrë.

Në një komunikim me video-selfie teksa kthehej për në Tiranë, Basha shprehet se Rama duhet t’i lërë provokimet.

Basha tha se “burrë nuk të bëjnë bandat por dashuria dhe përkushtimi për atdheun”.

“Sot është një ditë feste është Dita e Luleve që është simboli kuptim plotë i thyerjes së dimrit me verën. E pra 14 Marsi i sotëm na ndan pak nga 25 prilli që do të jetë”, tha Basha.

Kryedemokrati thotë se incidentet sot në Elbasan, i nxiti Rama, pasi ai nuk e dinte se në çfarë ore do të mbërrinte kryeministri në Elbasan, teksa rezultoi që të dy shkuan në të njëjtën kohë, çka futi në një konflikt të pazakontë militantët e dy partive, që kishin dalë për t’i pritur, me thirrjet për fitore më 25 prill.

“Ngjarja e shëmtuar që provokoi Edi Rama, rrugët ishin edhe më plot pas këtij incidenti të shëmtuar që tregoi se qytetarët nuk e kanë frikë. Shqiptarëve u ka dalë frikë dhe janë të gjithë bashkë. Burrë nuk të bëjnë banditët me psitoletë në brez pa të cilat nuk hyn dot në qytetin e Elbasanit. Nuk të bëjnë dot burrë, burrë të bën përkushtimi ndaj vendit, që ti nuk e ke pasur. Burrë të bën dashuria për vendin që ty të ka munguar në çdo çast”, tha Basha.

“Shqipëria e ka ndarë mendjen, nuk ka ndryshim pa largimin, tënd ndaj mos i provoko shqiptarët. Nuk na tremb dot ne. Ty dhe një grushti banditësh dhe oligarkëve u ka ardhur fundi. Më 25 prill largojmë Edi Ramën”, ka qenë reagimi i Bashës, pas kthimit nga Elbasani.