Nga Revista Forbes

Të hënën, Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja u bënë vendet e fundit që ndaluan administrimin e vaksinës Covid-19 të zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe gjiganti farmaceutik AstraZeneca. Këto vende po ndjekin hapat e Danimarkës, Norvegjisë, Irlandës, Holandës dhe Tajlandës, të cilët gjithashtu kanë pezulluar përdorimin e vaksinës, e cila ende nuk është autorizuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara.

Në dukje, këto pezullime janë për shkak të një grupi rastesh në të cilat vaksina mund të ketë rritur rrezikun e mpiksjes së gjakut. Por ekspertë të shumtë thonë se vaksina është e sigurt dhe se pezullimet pengojnë përpjekjet për të shpërndarë vaksina në të gjithë botën. Të tjerë shqetësohen se vaksina po mbahet pezull më shumë për arsye politike, sesa shkencore. Ky është veçanërisht një shqetësim duke pasur parasysh që kërkesa për vaksina tejkalon furnizimin ndërsa rastet e Covid-19 vazhdojnë të rriten në të gjithë Europën.

Ka pasur 37 raportime për mpiksje gjaku midis 17 milion njerëzve të vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE. Gjithashtu raportet paraprake sugjerojnë se nga një person në Itali, Austri dhe Danimarkë vdiqën për shkak të mpiksjes së gjakut pasi morën vaksinën AstraZeneca.

Komiteti i sigurisë i Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) paralajmëron se, asnjë nga ato vdekje nuk ishte i lidhur me vaksinën. Komiteti më tej vuri në dukje se disa njerëz që morën mpiksje gjaku ishin të moshës mesatare, kur mpiksje të tilla janë më të zakonshme dhe se mpiksjet e gjakut nuk janë veçanërisht të rralla në popullatën e përgjithshme.

AstraZeneca vuri në dukje në një deklaratë se numri i mpiksjeve të gjakut është në të vërtetë shumë më i ulët sesa pritet të ndodhë natyrshëm në një popullatë të përgjithshme të kësaj mase.

Davey Smith, një specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë San Diego, është hutuar nga vendimet e qeverive për të pezulluar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca.

“Nuk kam parë të dhëna të arsyeshme për të ndalur përdorimin e AstraZeneca. Njerëzit që kanë tendencë të kenë mpiksje gjaku, do ta kenë, me ose pa vaksinë”, tha ai.

Jennifer Nuzzo, një epidemiologe në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore, gjithashtu shprehu habinë për vendimet e këtyre qeverive.

Ndalimi për rishikimin e tyre është mirë, por pauza është të humbësh terrenin kundër mbrojtjes së njerëzve nga një pandemi vdekjeprurëse”, tha ajo.

AstraZeneca konsiderohej lider në garën e vaksinimit kundër Covid-19 dhe tani po përballet me më shumë pengesa sesa konkurrentët e saj. Problemet filluan të shtoheshin që në shtatorin e kaluar, kur provat globale të vaksinës u ndërprenë shkak të një pacienti që përjetonte një sëmundje të rëndë. Dy muaj më vonë, kompania zbuloi një gabim trashanik:  në provat në Mbretërinë e Bashkuar të drejtuar nga Oxford, pjesëmarrësve u ishte dhënë aksidentalisht gjysmë doza të vaksinës, një gabim që tronditi besimin e rregullatorëve në SHBA, të cilët tani presin të dhënat përfundimtare të provës klinike nga AstraZeneca në prill.

Por, të dhënat në provat ndërkombëtare në vazhdim ishin premtuese. Vaksina ishte 82% efektive në parandalimin e Covid-19 pas dy dozave, dhe 100% efektive në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Kjo bëri që vaksina të autorizohej në Mbretërinë e Bashkuar në dhjetor, me autorizime nga Bashkimi Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, në fillim të vitit 2021. Deri më tani, dozat e vaksinës janë administruar në 17 milion pacientë në Europë.

Vaksina AstraZeneca përdor një përbërës të ADN-së që udhëzon qelizat të prodhojnë të njëjtat proteina që gjenden në pjesë të virusit që shkakton Covid-19. Këto proteina trajnojnë sistemin imunitar të trupit për të prodhuar antitrupa kundër tij. Një avantazh që ka ndaj vaksinave të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna është se ajo mund të qëndroja në frigorifer, jo në ngricë, dhe është më e qëndrueshme për transport. Kjo i jep avantazh në shpërndarjen e saj në të gjithë botën.

Atëherë, pse kaq shumë vende europiane po ndërmarrin hapin në dukje radikal të ndalimit të administrimit?

Në një raport të botuar në fillim të këtij muaji nga Barclays, firma e investimeve shikoi disa nga çështjet e mëparshme rregullatore të AstraZeneca dhe sugjeroi që “shumica e polemikave kanë një gjenezë më shumë politike sesa një shkencore”.

Duke vërejtur disa nga ndryshimet midis asaj që EMA kishte miratuar për vaksinën kundrejt asaj sesi disa vende europiane kishin autorizuar përdorimin e vaksinës, raporti vazhdon të spekulojë se “autoritetet në disa vende mund të kenë kërkuar dikë për ta fajësuar”.

Ekspertët e shëndetit publik thanë për Forbes se, arsye të ngjashme mund të kenë nxitur pezullimet e fundit. Një kontrast interesant mund të shihet në Kanada, e cila thuhet se po përgatitet të zgjerojë autorizimin e saj të vaksinës për të moshuarit, kur më parë nuk ishte rekomanduar për të rriturit mbi 65 vjeç.

E justifikuar ose jo, ndalimi i administrimit të vaksinës së AstraZeneca rrezikon të përkeqësojë një hezitim tashmë të fortë për t’u vaksinuar. Një përmbledhje e fundit e politikave nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve zbuloi se, më pak se gjysma e njerëzve në Bashkimin Europian besonin se vaksinat Covid-19 janë të sigurta. Për këtë arsye, Nuzzo nxit agjencitë e shëndetit publik që të jenë transparente gjatë gjithë procesit të vlerësimit të vaksinës gjatë pezullimit të saj.

Smith pajtohet dhe shton se pezullimi i administrimit të vaksinës është një rrezik në luftën më të madhe kundër pandemisë. Bazuar në të dhënat e raportuara, ai thotë se nuk sheh një justifikim për qeveritë që pezullojnë vaksinën, duke komentuar se “nëse ata kanë të dhëna dhe nëse po marrin vendime bazuar në të dhëna që askush nuk i ka, atëherë është një problem i transparencës”.