Kryeministri Edi Rama ka folur nga Shkodra, ku po vijon procesi i vaksinimit në shkollën “Edit Durham” dhe tha se janë në pritje të lajmeve të mira për të marrë një sasi të konsiderueshme të vaksinave.

Përmes vaksinave që pritet të vijnë, Rama u shpreh se do të vijojë vaksinimi i moshave mbi 60 vjeç dhe më pas edhe për ata nën këtë moshë.

Rreth procesit të deritanishëm dhe përdorimit të vaksinës Astrazeneca, Rama u shpreh se nuk ka pasur asnjë problem në vendin tonë.

“Vazhdojmë procesin e vaksinimit, i cili po ecën mjaft mirë, pavarësisht luhatjeve dhe ngurrimeve të krijuara ditët e fundit për shkak të lajmeve për AstraZenecën dhe pezullimit në disa vende. Deri tani nuk ka asnjë problem, po rritet numri i mësuesve për tu vaksinuar. Është normale që të ketë hezitime. Për ne është e rëndësishme që të rrisim intensitetin, të plotësojmë sezonin. Besoj që do kemi më në fund lajme të mira dhe do të kemi në disponim një sasi të konsiderueshme vaksinash për tu shtrirë përtej këtyre kategorive, për të marrë mbarë gjithë kategorinë e moshave +60 dhe më pas nën 60”, tha Rama.

Sa i përket fushatës politike, e cila mund të bëjë më të vështirë procesin e vaksinimit, Rama ironizoi veprimet e Lulzim Bashës.

Rama tha se nuk duhet të futen të gjithë partitë në një thes.

“Vaksinimi ëshrtë njëra anë e kësaj medalje të kësaj lufte, ana tjetër është respektimi i rregullave. Nuk janë sjelljet e partive politike sepse zakoni për ti futur gjithë në një thes është i vjetër. Janë partitë e KCK që dalin bashkë me dhëndrin përpara dhe gjoja mblidhen disa dasmorëq me dy gishta e ulërima dhe krijojnë një vatër potenciale në mes të qytetit. Kjo është sfidë për shëndetin. Këto historitë me dy gishta e flamuj nuk do mbarojnë”, u shpreh kryeministri Rama.