SPAK kërkon 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ish kreu i akuzës shqiptare në vitet 2012-2017, akuzohet për veprat penale, refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehje ose deklarim i pasurive, interesave privat të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim në tre raste.

Adriatik Llalla u hetua për disa vepra penale, përfshirë edhe pastrimin e parave, por në përfundim ai u dërgua për gjykim vetëm për fshehje të pasurisë.

SPAK ka kërkuar edhe përjashtimin me 5 vite të Adriatik Llallës nga funksionet publike.

Ish prokurori i përgjithshëm ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Atij do t’i zbritet 1/3 nga gjykimi shkurtuar dhe i mbetet të kryejë 1.4 vite burg.

Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO vendosi sekuestrimin e 5 pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit.

Vendimi u mor pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme, e cila po heton ish-kryeprokurorin për ligjshmërinë e pasurisë, në kuadër të ligjit anti-mafia.

Gjykata Speciale ka sekuestruar një apartament banimi në Durrës me sipërfaqe 67.2 m2, tokë arë me sipërfaqe 4.5 mijë m2, tokë arë me sipërfaqe 12 mijë m2 në Tiranë, tokë arë me sipërfaqe 3 mijë m2 në Tiranë si dhe një tjetër tokë arë, me sipërfaqe 2.2 mijë m2 ndodhur në Tiranë, që të gjithë në pronësi të Adriatik Llallës.