Në ka gjë më të kontestuar gjatë kësaj pandemie në Shqipëri, është raportimi i shifrave. Në mënyrë të përsëritur është evidentuar qartësisht se viktimat nga COVID-19 janë zyrtarisht, goxha më pak se ata që kanë vdekur realisht.

Nga ana tjetër, gjithkush është i vetëdijshëm madje shumë prej jush mund ta kenë hasur vetë, që shifrat e të infektuarve ditorë janë larg atyre realë.

Në këtë mënyrë, raportimi ditor i shifrave lë shteg për dyshime se strategjitë që ndiqen lidhen edhe me ndikimin që sjell pragu i fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Precedent të afërt kemi në Kosovë ku shifrat ditore të raportuara para dhe gjatë zgjedhjeve ishin ndjeshëm më të ulëta se para dhe pas procesit zgjedhor.

Lind pyetja, sa të sakta janë shifrat zyrtare?

Pa dashur të bëjmë qark të shkurtër mes pandemisë dhe zgjedhjeve, ndonëse për këtë flasin shumë njerëz, do të analizojmë shifrat dhe dinamikat e tyre, për të kuptuar sa afër dhe larg realitetit ato janë.

Për shumë njerëz shifrat nuk përputhen me realitetin. Për këtë tezë jepen edhe disa argumente që renditen më poshtë:

Në shifrat zyrtare, përfshihen vetëm ata shtetas që vdesin në spitalet Covid, të cilët para vdekjes kanë dalë pozitivë me tampon dhe ishin ende të tillë në momentet e ikjes nga kjo botë.

Duke u aplikuar kjo skeme, mbeten jashtë shifrave zyrtare plot viktima të tjera:

-ata që vdesin në banesa

-ata që vdesin në spitale

-ata që vdesin në spitalet Covid, por nuk janë tamponuar

-ata që vdesin në spitalet private në Shqipëri

-ata shtetas që jetonin në Shqipëri dhe që janë dërguar në spitalet publike dhe private jashtë shtetit dhe kanë vdekur atje

-shtetasit shqiptarë me banim të përkohshëm jashtë vendit që kanë vdekur në banesa apo spitale private ose publike kudo në botë.

Ditët e fundit, raportohen shifra në rënie të ndjeshme dhe të vazhdueshme të të infektuarve të rinj.

Ndonëse testimet nuk kanë rënë, ato janë gati 3 mijë ose dhe më shumë në ditë, shifrat e infektimeve për të njëjtin numër testimesh janë mbi tre herë të ulëta. Nga deri 1500 raste ditore në 490 për 24 orët e fundit dhe disa dhjetëra më pak, dy ditë më parë.

Po ashtu ka një rënie drastike të shtrimeve dhe personave të shtruar në 7 spitalet Covid në Tiranë dhe rrethe. Kështu nëse në shkurt arriti në 700 shtretër të zënë në 24 orë, tani janë vetëm 390, çka bën që spitalet të marrin frymë lirisht.

Por situata e shkurtit i trembi aq shumë zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë saqë hoqën dhe thirrjen e përditshme që të sëmurët tu drejtohen spitaleve.

Por ajo që bie në sy është numri i vdekjeve. Ai nuk po bie, ose rënia është modeste. Çdo ditë po humbin jetën deri në 21 persona, madje disa prej tyre në moshë ndjeshëm të re.

Lajmi pasoi një rritje të vrullshme krahasuar me ditët e mëparshme dhe sot u raportuan për 5 mijë vaksinime të kryera vetëm 24 orët e fundit. Aktualisht ka shkuar në më shumë se 41 mijë numri i vaksinave të kryera, por gjithsesi mbi 80 mijë të tjera ende mbahen stok. Është e paqartë përse nuk kryhen më dendur vaksinat, përderisa edhe afati i dozës së dytë po shtyhet deri 12 javë pas të parës, siç paralajmëroi këto ditë ministria e Shëndetësisë.

Në këtë pikë, kanë apo nuk kanë lidhje shifrat me zgjedhjet noa.al beson se kjo nuk ka asnjë rëndësi para nevojës imediate për të jetuar. Ndaj nxisim fort qytetarët që të kenë prioritet shëndetin duke mos e ulur vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni përfshirjen në grumbullime, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga Covid-19.