Zyrtarisht rasti i parë me Covid-19 në Shqipëri u raportua më 9 mars 2020. Në Itali, disa javë më herët raportoheshin mori rastesh. Shqipëria, aq shumë e lidhur me këtë vend, duket se pati shumë më herët se 9 marsi, të infektuar me koronavirusin e ri.

Këtë e kanë dëshmuar disa mjekë, duke pohuar se në periudhën janar-shkurt kishte një dyndje të jashtëzakonshme me urgjenca te fëmijë dhe të rritur, me plot nga simptomat e koronavirusit, duke pasur dhe disa vdekje. Megjithatë, pak dihej për Covid-19 dhe të gjitha rastet iu faturuan gripit sezonal.

Këtë vit, edhe pse periudha janar-mars njihet si sezoni i gripit stinor, në të gjithë vendin thuajse nuk ka urgjenca për fëmijët dhe të rriturit, me shenja gripale.

Shefi i Shërbimit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”, Edmond Kotoni, thotë se në rajonin jugor të vendit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar situata është më e qetë.

Më së miri flasin shifrat e vizitave dhe shtrimeve në pavion, të cilat janë përgjysmuar. Sigurisht që për ndihmë të parë janë paraqitur edhe fëmijë të cilët pas testit kanë rezultuar të infektuar me Covid, por ecuria e tyre shëndetësore ka qënë e mirë.

“Zakonisht paraqiten 10-20 fëmijë në 24 orë, me temperaturë. Për diferencimin e rasteve me Covid pyesim familjarët dhe rekomandojmë tamponin si të vetmen mënyrë, pasi simptomat janë të ngjashme. U japim mjekimin dhe këshillat e duhura.

Raste të rënda nuk kemi pasur, vetëm një vajzë 13 vjeçe kemi dërguar në Tiranë, ku ka ecur shumë mirë dhe tashmë është në shtëpi nën kujdesin e mjekes së familjes.

Shtrime ka shumë pak. Kryesisht janë njëditore. Aktualisht kemi në pavion dy fëmijë, një me pneumoni dhe një me diare akute”, – shpjegon Shefi i Shërbimit Pediatrik, Edmond Kotoni.

Lind pyetja, çfarë ndodhi me gripin stinor? Kotoni sqaron: “Kjo periudhë krahasuar me vitin e kaluar shënon përgjysmim të vizitave dhe shtrimeve në pediatri. Sivjet nuk kemi pasur asnjë rast të dyshuar apo të konfirmuar me grip stinor. Ndoshta kjo dhe nga mosfrekuentimi fizik i institucioneve arsimore”.

Veç këtij fakti, janë edhe faktorë të tjerë që kanë bërë që gripi të kthehet në histori nga e kaluara: Njerëzit përdorin maskat kudo jashtë shtëpisë. Maska mbron jo vetëm nga Covidi, por edhe nga viruse të tjera përfshirë ato të gripit.

Nga ana tjetër nuk ka thuajse fare përqendrim të fëmijëve dhe të rriturve në mjedise të mbyllura pa distancë dhe për orë të tëra pasi asnjë aktivitet social kulturor, artistik apo sportiv nuk ndodh.