Dhuna në familje ka shpërthyer gjatë pandemisë sa kohë kufizimet na mundësuan më tepër orë qëndrimi në banesë dhe për rrjedhojë, më tepër orë pranë të afërmve. Për disa, grindjet e vogla u kthyen në ortek dhune, ku kryesisht më të pambrojturit, rezultuan gratë dhe të moshuarit.

Dy vëllezër u rrahën me njëri tjetrin, pas konfliktit se cili prej tyre duhet ta mbante nënën e moshuar, kurse një grua dhe vjehrri e vjehrra e saj, u rrahën paq nga djali i shtëpisë, pasi ai u kap prej tyre duke vjedhur lodrat.

Të dyja dosjet u vendosën në dispozicion nga policia që pohon se dhuna në familje është rritur me 30% gjatë pandemisë dhe se në vend të parë, qëndrojnë gratë.

R.P, është një 34-vjeçare e martuar prej 12 vitesh dhe çifti ka një fëmijë të moshës 10 vjeç. Ndonëse pandemia ndryshoi rutinën e kujtdo, asgjë nuk e ndaloi bashkëshortin  e saj që të linte drogën, i cili  rezulton se është përdorues i kanabis sativës.

Përpos këtij problemi, ai u bë agresiv dhe kërkonte para nga gruaja dhe dy prindërit. Të tre familjarët përfunduan njëri pas tjetrit në komisariat me vetëm një akuzë.

“D. u grind me nënën e tij dhe më pas u grind me mua, kërkonte para prej meje. Pasi nëna nuk i dha para, ai e shau dhe më pas m’u kthye dhe mua. Më vendosi duart në fyt dhe theu pasqyrën e korridorit. Shkoi në dhomën tjetër dhe nisi të mbledhë lodrat e djalit tonë me qëllim për t’i shitur. E pengova dhe të njëjtën gjë bëri edhe vjehrra. D. më goditi me grusht në pjesën e pasme të kokës dhe m’i tërhoqi me forcë lodrat. Në inat e sipër, i theu disa prej tyre dhe bërtiste dua para. Në këtë përleshje, ndërhyri babai i D.,të cilin e shtyu edhe atë”, – rrëfen në kallëzim gruaja.

Sipas burimeve të policisë, pasi u njoftuan nga fqinjët, kanë mbërritur forcat e rendit. Por fillimisht  të tre anëtarët kanë mohuar të kishte ndodhur diçka. Sipas tyre vetëm sa ishin sharë. Në raportin e treguar , dhunuesi është këshilluar nga oficerët që të sillej mirë dhe në këtë situatë ata janë larguar.

“Por ndonëse ne e falëm dhe gënjyem policinë, sapo ata dolën nga shtëpia, D., filloi përsëri duke sharë dhe ofenduar. Shkoi tek dollapi dhe përsëri po mblidhte lodrat e djalit tonë, duke insistuar se do t’i shiste nëse nuk i jepnim para. Në këtë situatë, ne njoftuam policinë”, rrëfehet 34-vjeçarja pranë komisariatit numër 3.

“Kur policia erdhi, m’u dhimbs djali dhe ndërhyra kur policia deshi ta merrte. Por pasi policia u largua, djali vazhdoi në të njëjtën mënyrë dhe ndaj u detyrova të njoftoj policinë dhe sapo e bëra këtë gjë, D., doli nga banesa”, – thotë 78-vjeçari për policinë, të cilës i tregoi se nervozizmi i D., 42 vjeç, shkaktohej nga mungesa e parave dhe sepse ai përdor hashash.