Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, gjatë një bisedimi online me gazetarët ka zbuluar edhe diskutimin që kishte me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta si dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.

Palemer ka theksuar se një nga temat kryesore në bisedimin online me krerët e politikës në Shqipëri, ishin zgjedhjet e 25 prillit, duke theksuar se SHBA pret që zgjedhjet në vendin tonë të jenë të lira dhe transparente dhe të zhvilluara sipas standardeve më të larta demokratike.

Më tej Palmer ka shtuar në fjalën e tij se është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike.

Një temë tjetër sipas Palmer ka qenë ajo mbi stërvitjet Defender 21 që po vijnë. Palmer nuk ka lënë pa përmendur Refomrën në Drejtësi për të cilën ka thënë se duhet të vijojë.

Palmer më tej ka shtuar se SHBA mbeten të përkushtuar ndaj një të ardhmeje europiane dhe euro-atlantike për Shqipërinë.

“Në lidhje me pritshmëritë për 25 prillin, mendoj se të gjithë po punojnë drejt një procesi që të jetë sa më i ndershëm dhe i drejtë që mundet, dhe do të ketë goxha luftë politike rrugës, dhe kjo është pjesë normale e politikës demokratike. Por ajo që ka vërtet rendësi dhe sigurisht pozicioni që kam artikuluar dhe kam bërë të qartë është që institucionet e qeverisjes demokratike të jenë të forta dhe të shihen si legjitime nga publiku dhe që proceset të jenë transparente dhe llogaridhënëse dhe prodhojnë rezultate që pasqyrojnë vullnetin e publikut nëpërmjet një procesi demokratik. ” ka thënë Palmer.