Mbretëria e Bashkuar ka vaksinuar 60% të popullsisë së rritur, ku 3 në 5 qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.

“Tre në pesë njerëz të rritur janë vaksinuar”, tha të martën sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Sipas tij, 31,622,367 njerëz në total kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa 5,496,716 janë vaksinuar me dy doza.

Shifra e fundit tregon se 10.4 për qind e popullsisë së rritur britanike është vaksinuar plotësisht, ndërsa 60% vetëm me një dozë.

Hancock e ka cilësuar këtë si një lajm “fantastik”.

Në një postim në Twitter, ai i falënderoi “të gjithë të përfshirët në shpërndarjen e vaksinave”.

“Ne po bëjmë përparime të mëdha në përpjekjen tonë kombëtare”, tha ai.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit në dhjetor të vitit të kaluar, me vaksinën Pfizer/BioNTech.

Vaksina tjetër që përdor ky vend është AstraZeneca, ndërsa Moderna është miratuar.

Të tria vaksinat duhet të jepen në dy doza për të qenë sa më efektive.

Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.

Ajo ka regjistruar numrin më të madh të viktimave në kontinent: mbi 127,000.

Në total, mbi 4.3 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus atje.