22 vite tek Arsenali dhe Arsene Wenger ka parë sytë shumë tek Arsenali. Në fillim të viteve 2000 ra në grackë nga lojtarët e tij, që kur u testua Igors Stepanovs i thurnin elozhe dhe i bënin lëshime. “Topçinjtë” i ofruan kontratë mbrojtësit letonez, i cili e shënoi emrin e tij si një nga transferimet më të dështuara.

Stepanovs me siguri është ngushëlluar dhjetë vite më pas, kur në vitin 2011 Arsenali i dha fanellën me numër nëntë një koreoano-jugori.  Park Chu-young u prezantua në Londër dhe gjurma e vetme që la është fakti që përmendet si një nga lëvizjet “flop” të anglezëve.

Arsenali pagoi për Park 5 milion dollarë dhe atëherë u mundua se Arsene Wenger kishte bërë “gol” me këtë lëvizje. Sulmuesi prej tre vitesh ishte pjesë e Monaco dhe shënoi 25 gola në 91 ndeshje. Një shifër jo e lartë, por ajo që ndodhi në momentin e transferimit i rriti pritshmëritë.

Lille e kishte mbyllur marrëveshjen me sulmuesin, të cilin e kishte lënë në një dhomë hoteli për të bërë më pas vizitat mjekësore. Kur drejtuesit e klubi francez shkuan për ta marrë, dhoma ishte bosh. Asnjë njoftim dhe më pas u vunë në ndjekje, për ta gjetur atë në terminalin Eurostar.

Park ishte i qartë me ta: “Po iki në Angli të firmos me Arsenalin”. U tha, u bë, sulmuesi fluturoi drejt Londrës dhe mendonte se kishte bërë hapin e madh në karrierë. A ishte gati, a i kishte aftësitë, a mund të ishte ai lojtari që do garantonte golat e Arsenalit? Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetje u morën më pas.

Problemet nisën direkt, pasi Park Chu-young duhet të kryente ushtrinë në Korenë e Jugut para moshës 28 vjeç. Në momentin që kaloi në Premier League ishte 26 vjeç. Atëherë kishte shumë optimizëm rreth të ardhmes së sulmuesit koreano-jugor.

Trajneri i Koresë së Jugut në atë kohë, Cho Kwang-rae, shprehej: “Park do të luajë shumë ndeshje në Premier League dhe do të jetë në gjendje të rritet dhe të bëhet një lojtar më i mirë. Kjo do të jetë edhe në të mirë të ekipi kombëtar”.

Sigurisht defektet e Park do të viheshin re shumë shpejt. Ai shënon në League Cup kundër Bolton Wanderers, në një ndeshje që Arsenali e fitoi me rezultatin 2-1 më 28 nëntor 2011. Më pas Wenger e zgjodhi si titullar në Champions League kundër Marseille, në nëntor.

Rreth një orë lojë dhe më pas jashtë. Trajneri francez shprehej: “Ai bëri një ndeshje shumë të mirë javën e fundit. Sonte mund ta shihnit se i mungonte ritmi”. Dita e mirë duket që me mëngjes, themi në vendin tonë, dhe sinjalet e sulmuesit ishin të qarta.

Wenger nga ana tjetër vendosi që Park të mos huazohej dhe deklaronte: “Ai ka cilësitë që të luajë për Arsenalin dhe do të duhet kur Gervinho dhe Marouane Chamakh të shkojnë në Kupën e Kombeve të Afrikës”.

Gjashtë ndeshje për të dhe vetëm një prej tyre në Premier League.  Çështja e shërbimit ushtarak u rikthye në skenë dhe Park vendosi ta zgjidhte këtë problem duke marrë një vizë 10-vjeçare qëndrimi në Monako.

Kjo nuk është se e ndihmoi futbollistin, të cilin në Korenë e Jugut nisën ta cilësonin si jo patriot. Ai organizoi në vendlindje një konferencë për shtyp dhe foli në lidhje me çështjen e ushtrisë: “Unë e kuptoj që kishte një polemikë të madhe në lidhje me shërbimin tim ushtarak. Unë do të doja të kërkoja falje për të gjitha problemet që shkaktoi kjo”.

Karriera po merrte për poshtë, ndërkohë që u la edhe jashtë kualifikueseve të Botërorit 2014 për shkak se nuk shpjegoi se pse e kishte shtyrë ushtrinë. Sulmuesi nuk po e gjente veten në modulet e Wenger, ndërkohë që edhe Arsenali kishte nisur një periudhë rënie. Kalimi i Robin Van Persie nga anësor në sulmues qendre e izoloi krejtësisht koreanin.

Park ishte kthyer në një të padukshëm tek Arsenali, pasi në janar të vitit 2012 u rikthye në huazim Thierry Henry dhe në verë u firmos me Lukas Podolski. Gjermani i mori numrin nëntë dhe 26-vjeçari duhet të vishte fanellën me numrin 30.

Park nuk kishte më vend tek Arsenali, që e huazoi në Spanjë te Celta Vigo. 26 ndeshje dhe vetëm katër gola, me ekipin spanjoll që shpëtoi nga rënia prej LaLiga për vetëm një pikë. Në sezonin 2013-2014 u rikthye tek Arsenali. Përpjekja e fundit për të lënë gjurmë shkoi kot.

Vetëm një ndeshje në League Cup kundër Chelsea, madje edhe atë si zëvendësues i Aaron Ramsey në minutën e 81-të. nëntë minutë në atë humbje 2-0 që Arsenali pësoi dhe për Park aventura e tij me Arsenalin kishte përfunduar.

Madje jo vetëm me Arsenalin, pasi nuk luajti më në Europë, duke kaluar fillimisht në Arabinë Saudite tek Al Shababa dhe më pas te FC Seoul në vendlindje, ku luan ende prej vitit 2015 dhe ka shënuar gola mjaft të bukur dhe është shpallur kampion.

Park Chu-young ka luajtur në dy Botërore (2010, 2014) me Korenë e Jugut, si dhe ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012 me kombëtaren e tij. Në Angli e kujtojnë si një nga sulmuesit më të dobët që ka shkelur në Premier League, edhe pse mund të ketë qenë një lëvizje në kohën dhe vendin e gabuar.