Nga Jonida Hitoveizi

E shoh çdo ditë depresionin e thellë të kësaj shoqërie se të plaset fytyrës e trupit kudo. Është një shoqëri që për t’i shpëtuar makabritetit të saj, problemeve të thella psikike, socio-ekonomike, po sidomos sëmundjes së saj mendore, është strukur në Instagram, atje ku luhet “la bella vita”. “La bella vita” e mbylljes së syve, e llamarinave boshe që kanë realitet të vetëm K-të dhe numrin e tyre. Është një refuzim për ta parë realitetin në sy, për ta parë atë që ndodh rreth nesh në sy, për të reflektuar dhe gjetur zgjidhje.

Mu kujtua Verbëria e Saramangos. Fati i atyre që zgjedhin të nxjerrin sytë dihet. Hanë njëri-tjetrin dhe trupat bëhen kapicë. E në qofsh syçelë, çfarë mund të bësh kur të gjithë janë të verbuar! Madje më keq se ata që i ka zënë sëmundja e verbërisë janë ata që kanë zgjedhur t’i nxjerrin vetë sytë e tyre. Madje ta shesin qorrllëkun si një joshje të rehatshme. Sikur të kishim një shoqëri alerte, sidomos ndaj mbrojtjes së fëmijëve sot në çdo lagje do ishin të afishuar me postera të mëdhenj, si kudo në botë kriminelët që rrezikojnë fëmijët.

Kështu komuniteti do të jetë syçelur ndaj tyre e do vetëmbrohet. Por jo! Ne pedofilin që ka tentuar të kryejë krime të tjera e lëmë të lirë, të pambikqyrur shpesh edhe të padënuar, teksa na vjen kaq për mbarë të zëmë sytë përditë. Si duket është më pak e dhimbshme të vdesësh në errësirë, teksa bindshëm ke refuzuar të shohësh!