Partia Demokratike me anë të një reagimi për mediat i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kavajë ku mbeti i plagosur një anëtarë i PD-së në zyrat e kësaj partie.

Sipas PD, Rama merret me gënjeshtra dhe manipulime ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar akoma. Ndër të tjera në reagimin  e PD thuhet se ky është një sulm kriminal kundër demokracisë sonë nga një njeri që tashmë e di se do t’i humbe zgjedhjet.

Partia Demokratike ka publikuar edhe një foto ku autori i plagosjes Ndriçim Jonuzi dhe dy të shpallurit në kërkim, Markel Shtylla dhe Dorian Troplini të cilët darkojnë me Redian Kralin.

DEKLARATE E PARTISE DEMOKRATIKE:

“Edi Rama merret me gënjeshtra dhe manipulime ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar akoma! Asnjë gënjeshtër nuk e ndihmon dot Ramën, sepse të gjitha faktet dëshmojnë se sulmuesit e djeshëm janë njerëzit e tij dhe kanë vepruar me qëllim. Ky është një sulm kriminal kundër demokracisë sonë nga një njeri që tashmë e di se do t’i humbe zgjedhjet. Të dielën ne do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin, për të cilin Shqipëria ka nevojë!”

Më herët kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për plagosjen me armë zjarri të sekretarit të Partisë Demokratike Bledar Okshtuni. Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se, sipas tij, është shumë e qartë që ngjarja mbrëmjen e së hënës nuk ka asnjë motiv politik.

Sipas asaj që thotë kreu i qeverisë, autori nuk ka lidhje me partinë që ai drejton, por se ai është militant i PD-së.  Rama vijon më tej se Partia Demokratike nuk ka faj për ngjarjen, por për atë që ai e cilëson si politizim skandaloz.

Krye socialisti i bën thirrje Lulëzim Bashës që “të bëhet burrë” e të ndahet nga Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha.