Kryesuesja e Presidencës së OSBE-së, ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde ka përgëzuar Edi Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri. “Urimet e mia më të ngrohta  Edi Ramës mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Në pritje të bashkëpunimit tonë të ngushtë të vazhdueshëm në OSBE” shkruan Linde.

Pas BE-së, ishte ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila gjithashtu përgëzoi kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për fushatën e fortë.

Ambasadorja Kim shkroi se duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, liderët politikë do të tregojnë se janë duke vepruar të përgjegjshëm për të mirën e shqiptarëve. SHBA, shprehet Kim, pret tashmë që të forcohen më tej marrëdhëniet mes dy shteteve për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

Dje Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, u bënë thirrje forcave politike në Shqipëri të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Borrel dhe Varhelyi bënë gjithashtu thirrje që çdo parregullsi të raportohet te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe autoritetet kompetente dhe që rastet, përfshirë pretendimet për blerje vote, të hetohen.