Në Shqipëri NATO ka nisur stërvitjen ushtarake “Defender 21” me mijëra trupa nga SHBA dhe vende të tjera anëtare të saj.

Sipas një zyrtari të ushtrisë amerikane, kjo është stërvitja më e madhe në Ballkanin perëndimor qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Në të marrin pjesë afro 28 mijë trupa nga 26 shtete, ku Shqipëria është pjesëtare dhe një qendër mikpritëse e saj.

Koloneli amerikan Joseph Scrocca tha sot në një takim online me shtypin se Shqipëria është një aleate e vendosur e NATO-s dhe një partnere e vlerësuar e sigurisë në nivel rajonal dhe global.

Trupat amerikane janë vendosur qysh nga 26 prilli në 5 baza ushtarake të Shqipërisë, tokësore, detare dhe ajrore.

Krahas Shqipërisë, në stërvitje marrin pjesë edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, anëtarë të NATO-s; Kroacia Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Disa ditë para nisjes së stërvitjes “Defender 21”, shefi i shtabit të ushtrisë shqiptare, gjeneral major, Bajram Begaj, tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se Komanda Amerikane e Europës dhe Afrikës e vlerësoi Shqipërinë, duke e zgjedhur për këtë stërvitje me rëndësi.

Nga ana tjetër, sipas tij, Shtetet e Bashkuara shprehin vendosmërinë se janë garant të sigurisë dhe mbrojtjes së Europës Qendrore, Veriore dhe për rajonin delikat të Ballkanit Perëndimor.