TIRANË- Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta,

50 firmëtarë të Partisë Socialiste kanë arritur të çojnë në Kuvend nismën për të nisur procedurat e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.
Mazhoranca socialiste, duket se këtë herë të dytë nuk do që të humbasë kohë, dhe ka mbledhur nga radhët e saj 50 firma nga 35 që duhen gjithsej për të materializuar sa më shpejt nisjen e procesit.
Abc ndërkohë ka zbardhur disa nga gjetjet që nismëtarët kanë shkruar në kërkesën e tyre drejtuar Kuvendit.

Socialistët, që kanë firmosur kërkesën, nga Taulant Balla, te Pandeli Majko e Spartak Braho, risjellin në vëmendje disa deklarata të forta të Presidentit Meta, të bëra para, gjatë dhe pas fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.
“Ilir Meta ka krijuar ndasi sociale, politike dhe ka nxitur daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët… duke sjellë deri në kryerjen e konflikteve me armë”- thuhet ndër të tjera në akuzat e ngritura nga socialistët.

Ndërkohë 50 deputetët firmëtar janë rikthyer tek vrasja e ndodhur në Elbasan pak para zgjedhjeve. Sipas tyre deklaratat e Kreut të Shtetit çuan deri në një humbje jete, duke iu referuar kështu vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, katër ditë para zgjedhjeve.

Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, policisë, përfaqësuesve të misioneve diplomatik, çuan në cënimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me botën, dhe cënimin e marrëdhënieve të fqinjësisë se mirë në rajon. Këto mesazhe, sjellje dhe akte të përsëritura të Presidentit në abuzim, tejkalim dhe shkelje të kompetencave të njohura nga Kushtetuta konsistojnë në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Ligjeve të vendit.” thuhet mes të tjerash në kërkesën e socialistëve drejtuar Kuvendit.

Disa nga deklaratat e Presidentit Ilir Meta, që citohen në kërkesën e PS me 41 faqe:

“Kërcënimi i fundit që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, ka vetëm një përgjigje: Presidenti gati për të firmosur dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!”

“Të dashur prokurorë dhe gjyqtarë! Dëgjojeni mirë Presidentin e Republikës! Boll dëgjuat përfaqësuesin e Ndrangheta-s, Don Agaçion. Nëse jo, një pikë gjaku të derdhet nesër, por edhe një pikë loti, mjerë ju! Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë!”

“Cfurqet do jenë të dielën, nëse preket vota. Zgjedhje si të Shijakut dhe të Dibrës, nuk do të ketë më. Kjo histori ka marrë fund…”.

“Lidheni të marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat… Unë do shkoj në shtëpi, kur ti të shkosh në psikiatri”.

“Bravo qytetarëve të Beratit! Gjejini! Izolojini! Mos i toleroni! Nuk ka patronazhist, fuks dhe bandit, që mund të ndalë ndryshimin e madh më 25 prill! ‘Ngrehuni dhe bjeruni, korini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë’! Me qetësi dhe vendosmëri drejt 25 prillit!

“Janë të shqetësuar nga mesazhet e Presidentit! Le të shqetësohen dhe le të tmerrohen të gjithë ata, të cilët mendojnë se do bëjnë “tërmet” në zgjedhje, si në Dibër, apo si në Shijak, qofshin këta qeveritarë, punonjës policie; qofshin banditë, gjithçka qofshin”.