Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish ndryshime në kabinetin qeveritar. Sot janë emëruar dy zëvendësministre. Me vendim të Këshillit të Ministrave, Bora Muzhaqi u emërua zëvendësministre e Arsimit dhe Dallandyshe Bici zëvendësministre e Mbrojtjes.

Muzhaqi dhe Bici kandiduan për deputete në qarkun e Tiranës, por asnjëra nuk fitoi mandat. Muzhaqi zuri vendin e Aspasjana Kongos në Ministrisë e Arsimit, pasi kjo e fundit u lirua sot nga detyra.

Para se të mbaheshin zgjedhjet, Bora Muzhaqi ishte e ftuar në Shqip në DritareTv ku tha se në fokus të saj ishte rinia dhe start-up-et. Tani që mori postin e zëvendësministres së Arsimit, Muzhaqi do të jetë më pranë të rinjve për të realizuar synimet e saj.

“Unë duke qenë se merrem me rininë dhe inovacioni, mendova që dhe fushata ime të ishte sa më inovatore, duke filluar që nga investimi me një website, ku janë dy-tri nisma të miat, dy-tri premtime konkrete që unë kam bërë dhe kur hyn në webisten me emrin tim, gjen çdo gjë mbi mua. Betejat e mia i kam pak më të forta, sepse takoj gjatë gjithë kohës rininë, dhe beteja ime e parë është të bind rininë të votojë, se rinisë i është mbushur mendja që vota ose vidhet ose blihet ose hidhet në kosh, dhe rinia e ka ndarë mendje që vota e tyre nuk ka vlerë. Unë betejën e parë që kam është t’i bind ata që vota e tyre ka shumë rëndësi. Ne jemi një nga popujt më të rinj në Ballkan, pjesa më e madhe e popullsisë tonë, janë të rinj. Që do të thotë nëse unë kam një mundësi, e kam më të mirë se çdo njeri tjetër në listë. Nëse e bind rininë që ajo të më votojë mua, është mundësi perfekte. Por nuk është qellimi im sa vota bëj në fund, qëllimi im është të votohet numri 12. Partia Socialiste, e vetmja qe mund të ndikojë që vajza e djem të rinj, të kenë të ardhme në këtë vend. Dhe unë jam një shembull që çdo i ri mundet në këtë vend.”,- tha Muzhaqi .