Ditën e djeshme në ndeshjen mes Tiranës dhe Kastriotit (1-0), e vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore pati shumë tension pas golit të bardhebluve, për shkak të pretendimit të krutanëve se nuk u respektua loja e ndershme.

Për disa minuta loja u ndal dhe pati tension e dhunë mes palëve, teksa u desh ndërhyrja e policisë për të ulur gjakrat. Në fushë kishin hyrë edhe zyrtarë të klubit krutan, të cilët u shoqëruan në polici pas ndeshjes dhe janë ndjekur penalisht. Mëngjesin e sotëm Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e djeshme.

DEKLARATA E POLICISË – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim, të shtetasve :

A. V., 34 vjeç, Presidenti i një ekipi futbolli.
G. V., 32 vjeç, Drejtor Teknik i një ekipi futbolli.

Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë pasi ditën e djeshme në rrugën “Sulejman Delvina”, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana–Kastrioti, këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë hyrë në fushën e lojës, duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.