Shkëmbimi vdekjeprurës i zjarrit midis militantëve palestinezë në Rripin e Gazës dhe ushtrisë izraelite është përshkallëzuar ndjeshëm. Për këtë arsye, OKB druhet se nga kjo situatë mund të pasojë një “luftë në shkallë të plotë.”

Më shumë se 1,000 raketa janë qëlluar nga militantët palestinezë, sipas deklaratave të Izraelit. Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore në Gaza, duke shkatërruar tre blloqe kullash dhe duke vrarë zyrtarë të lartë të Hamasit, raporton BBC .

Të paktën 53 palestinezë dhe gjashtë izraelitë janë vrarë që nga e hëna, mes të cilëve edhe 14 fëmijë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB António Guterres tha është shumë i shqetësuar nga dhuna e vazhdueshme.

Kurse, në një telefonatë me kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu, Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken dënoi sulmet me raketa të Hamasit por tha se Izraeli kishte një detyrim për të shmangur viktimat mes civilëve.

Ai tha se kishte dërguar Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Hady Amr për t’u takuar me të dy palët. Përplasjet nisën të hënën në mbrëmje pasi prej javësh rritej tensioni izraelito-palestinez në Jeruzalemin Lindor, që kulmoi me përplasjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë.