Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përmirësimi i situatës së pandemisë mbetet ende ne nivel të “brishtë” dhe bëri thirrje që të shmangen udhëtimet ndërkombëtare.

“Të përballur me një kërcënim të vazhdueshëm, dhe pasiguri, ne duhet të tregojmë kujdes”, tha drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge.

“I ashtuquajturi variant indian i koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, i cili mund të jetë më i transmetueshëm, tani është identifikuar në të paktën 26 nga 53 vendet në rajonin evropian”, tha Kluge gjatë konferencës së tij javore për media.

Kluge tha se varianti indian i koronavirusit ende është duke u studiuar dhe shtoi: “Ai është në gjendje të përhapet me shpejtësi”.

Sipas tij, variantet e reja “nuk janë në vetvete të rrezikshme, por ato mund të bëhen nëse ndryshojnë sjelljen e virusit”.

Deri tani vetëm 23 për qind e njerëzve në rajonin evropian kanë marrë një dozë vaksine, dhe vetëm 11 për qind kanë marrë dy doza, tha Kluge.

“Vaksinat mund të jenë një dritë në fund të tunelit, por ne nuk duhet të verbohemi nga kjo dritë”, tha ai duke vënë theksin te udhëtimet ndërkombëtare. Për OBSH, duhet të vazhdohet të ndalohen udhëtimet jothelbësore e të mos lejohen ato për turizëm apo familjare.