Fatbardh Kadilli, anëtari i Kryesisë së PD-së, bëri një reagim pasi SHBA shpalli non grata ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën. Kadilli shkruan se zoti Berisha duhet të shmangë përfshirjen e PD në këtë çështje dhe ta marrë nën emrin e tij, betejën finale për figurën dhe historinë.

“Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij.

Në 30 vjetorin e vendosjes se marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.

Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht. Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë.

Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i komprometojë në asnjë rast marrëdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë”, shkruan Kadilli. Zoti Kadilli ka shprehur kandidaturën për të garuar për kryetar të Partisë Demokratike, në zgjedhjet e brendshme që janë përcaktuar të mbahen më 13 qershor.