Nga David Brooks, The New York Times

Çfarë ndodhi me Joe Biden? Shumë njerëz menduan se ai ishte një i majtë i moderuar, por tani ai po promovon paketa të mëdha ligjore,që po i bëjnë të ndihen të lumtur shumë të majtë progresistë. E pyeta për këtë gjë kur bisedova me të në telefon këtë javë. Përgjigja duket të jetë e komplikuar.

Vlerat që e kanë motivuar atë, kanë qenë plotësisht të qëndrueshme gjatë dekadave, dhe politikat që ai po propozon tani janë të ngjashme me ato për të cilat ka qenë kampion për dekada me radhë. Këtë herë shkalla është shumë më e ndryshme.

Është njëlloj sikur një kompani që deri dje prodhonte anije të vogla, të nisë të prodhojë anije oqeanike. Dhe kjo sepse Biden beson se në një botë post-Trumpiane, po lufton jo vetëm për ta ruajtur shtresën e mesme, por që SHBA të vazhdojë të jetë kombi kryesor i botës.

“Pjesa tjetër e botës ka filluar të shohë tani nga Kina. Ky ishte deklarata më e rëndë që bëra pasi u zgjodha president. Sipas meje Amerika nuk mund të udhëhiqte, nëse nuk do të arrinte të përfundonte me sukses as edhe një fushatë vaksinimi”- thotë ai.

E pyeta se si e zhvilloi pikëpamjen që ka mbi rolin që duhet të luajë qeveria në jetën tonë si amerikanë. Ai nisi të flasë për babanë e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, i ati nisi të drejtonte një degë të një kompanie që rimodelonte anijet tregtare.

Kur ai filloi një biznes pas luftës, partneri i tij i harxhoi të gjitha paratë tek lojërat e fatit. “Pas luftës ai po ecte mjaft mirë me biznesin, dhe ai ishte momenti kur humbi gjithçka”- kujton Biden. Nga ai moment, babai i Biden luftoi për mbijetesë, duke bërë çdo lloj pune që mund të gjente.

“Unë e pashë babanë tim të kalonte një periudhë shumë të zymtë në raport me krenarinë e tij”-kujton presidenti. Kjo mund të duket si një mënyrë e pazakontë për t’iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me rolin e qeverisë, por Biden është origjinal.

Disa njerëz i fitojnë botëkuptimet e tyre nga konstruktet ideologjike apo lëvizjet filozofike si “konservatorizmi” ose “progresivizmi”. Biden e merr botëkuptimin e tij nga përvoja e jetuar, veçanërisht nga bota e rinisë së tij, dhe nga mënyra se si prindërit e tij e mësuan atë ta shihte atë botë.

Mbi këtë botëkuptim ai hodhi bazat morale të paketave të mëdha ligjore që po propozon tani. Historia e të atit, përmban elementët kryesorë të botëkuptimit të sotëm të Joe Biden.

Së pari, këndvështrimi social. Ajo që ka rëndësi nuk është vetëm mënyra se si një person e sheh një çështje, por edhe nga e sheh atë. Biden i sheh shumicën e çështjeve nga këndvështrimi i njerëzve që quhen “të zakonshëm”, demokratët e shtresës së mesme me të cilët u rrit përreth.

Së dyti, një vetëdije akute e peripecive të jetës. Biden më rrëfeu sesi babai i tij i tregoi një herë një strishë të personazhit komik viking, Hagari i Tmerrshëm, që ishte goditur nga fati i keq dhe që ulërin “Pse unë ?!” Zoti i përgjigjet, “E pse jo ti?”. Biden e ruan ende atë dialog. “Ky ishte babai im!”- shton ai.

Së treti, një përqendrim i madh tek dinjitetit njerëzor. “Unë mendoj se irlandezët e përdorin më shpesh termin ‘dinjitet’ sesa çdo grupim tjetër njerëzish. Dhe besoj se kjo ndodh për shkak se kur ju jeni të privuar nga dinjiteti, i vendosni atij një çmim tepër të lartë. Në hierarkitë etnike të amerikanëve të bardhë të mesjetës, të qenit irlandez do të thoshte të ishte një qytetarë i dorës të dytë. Anglezët kishin në pronësi qytetin”-shprehet presidenti.

Nga këta tre elementë buron një filozofi qeverisëse, dhe më pas një sërë politikash, që punojnë fort për t’i mbështetur njerëzit që jetojnë midis pengesave të mëdha të jetës, që u ofron njerëzve punë të mira, në mënyrë që ata të jetojnë me dinjitet, dhe që vepron kundër arrogancës së pasurisë.

Një pjesë tjetër e botëkuptimit të tij themelor, vjen nga mësimi shoqëror katolik i shekullit XX-të. Ai kujton se i ati i tij e donte filozofin katolik francez Jacques Maritain. Ashtu si shumica e figurave kryesore të pedagogjisë katolike, Maritain e vinte theksin tek solidariteti shoqëror, dhe ndërvarësia organike e njerëzve dhe komuniteteve.

Nëse besoni tek filozofia e Maritain, ju besoni se ne njerëzit kemi përgjegjësi serioze për njëri-tjetrin. Nga këto vlera themelore, po merr hov një axhendë legjislative praktike. Shtëpia e Bardhë më dha një listë të gjatë të nismave të ndryshme legjislative të Joe Biden, duke treguar se ai i ka mbrojtur ato prej kohësh.

Kështu sipas dokumentit të Shtëpisë së Bardhë, në vitin 1993 Biden prezantoi “Aktin e Rritjes dhe Punësimit të Infrastrukturës”. Në 1974, ai votoi pro rritjes së pagës minimale, diçka që e ka bërë shumë herë që nga ajo kohë. Në vitin 2003 ai votoi për krijimin e një kredie tatimore për kujdestarët. Në vitin 1983, votoi pro rritjes me 1.5 miliardë dollarë të fondeve për arsimin.

Kur sheh ligjet që ai ka propozuar ose mbështetur gjatë dekadave, vë re se shumat janë zakonisht në pak miliona ose miliarda. Sot, axhenda e Biden është në triliona. Atëherë çfarë ka ndryshuar, që nga janari i vitit 2017, kur ai dhe Barack Obama lanë detyrën?

“Mendoj se rrethanat kanë ndryshuar shumë. Ne jemi në një pikë të vërtetë kthese në histori”-thotë Biden. Presidenti shton se jemi duke përjetuar një “Revolucion të katërt Industrial”, i cili përfshin zhvillime duke filluar nga rritja e teknologjisë së informacionit, tek ngritja e super-shtetit kinez, deri te ndryshimet në mjedisin global të konkurrencës.

“Ne kemi arritur në një pikë ku unë mendoj se kompetenca jonë ekonomike, ka një ndikim ta madh në ndikimin dhe kapacitetin tonë ndërkombëtar”- mendon ai. Biden u rrit në një kohë kur Amerika ishte lider i padiskutueshëm botëror, dhe tani ai e sheh atë status të zbehet me shpejtësi, për shkak se nuk është investuar sa duhet në kërkim dhe zhvillim.

“Ne jemi duke ngrënë farën tonë. Nëse nuk marrim masa, nuk e di se si mund ta ndryshojmë statusin tonë ndërkombëtar dhe kapacitetin konkurrues”- thekson ai. Por a është bërë Biden një progresist? Vetë presidenti nuk mendon kështu. “Progresistët nuk më pëlqejnë, pasi unë nuk jam i përgatitur të ndjek ato, për të cilat do të thonë se janë një axhendë socialiste”-shprehet Biden.

Ai mendon se njerëzit që marrin në sy rreziqe të mëdha për të gjeneruar pasuri, duhet të kenë edhe shpërblimet më të mëdha. Ai është dyshues edhe për planin e faljes së borxheve të studentëve ndaj universiteteve. “Pra ju shkoni në universitet me një kosto 70.000 dollarë në vit, dhe për këtë duhet të paguajë publiku? Nuk jam dakord”- shprehet ai prerë.

Ekziston gjithashtu një ndryshim mbi mënyrën se si Biden dhe e majta kritikojnë korporatat e mëdha. Disa në të majtë, kritikojnë në bllok kapitalizmin, ndërsa Biden dëshiron që kapitalizmi të qëndrojnë brenda kufijve të mirëkuptimit së përbashkët.

Ai thotë se korporatat merrnin dikur përgjegjësi për komunitetet e tyre, ndërsa tani interesohen vetëm për vlerën e aksionerëve. Unë e pyeta se ku është kufiri midis asaj që duhet dhe nuk duhet të bëjë qeveria? Ai thotë se punëtorët duhet ta fitojnë atë që marrin, por atyre u duhet dhënë një mundësi.

Biden nuk është progresiv në kuptimin aktual të kësaj fjale. Ai është lloji i liberalit që u shfaq pas Luftës së Dytë Botërore:i sigurt mbi madhështinë e Amerikës, besimplotë tek shteti, pati pak interes mbi luftërat e kulturës që u shfaqën që nga vitet 1960, radikal në mbrojtje të të drejtave civile, i rrënjosur thellë në shtresën punëtore dhe atë të mesme. Në fakt Biden nuk ka ndryshuar; ai thjesht po e bën gjithçka më të madhe nga sa është.