Një sasi eksplozivi plastik C4, tritol, granata dhe municione janë zbuluar në Shkozet të Durrësit duke hedhur pikëpyetje serioze se kush ishin shënjestrat e keqbërësve.

Zbulimi i arsenalit luftarak është bërë nga policia e Durrësit pas një hetimi njëmujor që erdhi pas sinjaleve në rrugë operative të agjentëve të saj.

Për kapjen në flagrancë të poseduesve të armatimit ushtarak, u përdorën metoda speciale policore dhe u organizua operacioni i koduar me emrin “Binomi”, raporton noa.al.

Aksioni u krye sot te “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, ku u arrestuan tre persona, Barim Flora, 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhje”, Ardjan Gjoka, 33 vjeç dhe Jemin Flora, 33 vjeç, banues në Tiranë.

Të tre këta persona akizohen se kishin krijuar një grup kriminal në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në Tiranë dhe Durrës.

Ata po ecnin me një makinë kur u ndaluan për kontroll. Brenda mjetit “Land-Rover Frilander”, u kapën: 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4; 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol, 3 granata dore luftarake dhe 4 aparate telefoni celular.

“Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak”, thuhet në njoftimin e policisë.