Nga Mero Baze
Lulzim Basha po e mbështet fushatën e javës së fundit mbi dy premtime që përveçse janë gënjeshtra, nuk ja ka kërkuar dhe njeri.

E para është ajo se do e fusë vendin në zgjedhje të parakohshme, duke hequr paralele pa asnjë lidhje me vitin 1991, dhe e dyta që do të bindë ndërkombëtarët se zgjedhjet janë vjedhur.

Të dyja, përveçse janë premtime të gënjeshtërta, janë dhe të panevojshme, pasi vetë PD-ja është disa hapa para tij në këtë pikë.

E para krahasimi me vitin 1991 kur Partia e Punës fitoi zgjedhjet dhe pas një viti u ribënë zgjedhje, është një situatë e ngjashme me vitin 1996, kur PD fitoi zgjedhje me dhunë, dhe pas një vit u përmbys Shqipëria dhe u ribënë zgjedhje.

Shqipëria nuk është në ato kushte për qindra arsye, por mbi të gjitha për një kryearsye. Edhe më 1991 edhe më 1996, trendi dhe fryma e shoqërisë shqiptare ishte për ndryshim, por u frenua më 1991, nga frika e ndryshimit dhe më 1996, nga dhuna e shtetit.

Perëndimi në të dyja rastet ishte me opozitën dhe falë frymës që ekzistonte në vend dhe mbështetjes së perëndimit, kryesisht SHBA, edhe më 1992 dhe më 1997 u ribënë zgjedhje të reja dhe u arrit ndryshimi.

Lulzim Basha nuk ka as frymën, as SHBA as Evropën me vete në këtë histori. Bile i ka shumë kundër të gjithë. Ndaj nuk ja vlen të gënjejë pa shkak.

E dyta që është gënjeshtër edhe më e madhe, është se ky do të bindë Perëndimin për vjedhjen e zgjedhjeve dhe do sjellë ndryshimin.

Perëndimi në Shqipëri ka OSBE /ODIHR si institucion që flet për standardin e zgjedhjeve. SHBA, BE, OSBE, Gjermani Itali Francë Greqi etj. janë konsultuar me të dhe kanë uruar kryeministrin në detyrë për fitoren. Biles në mënyrë të pazakontë ai ka marrë urim dhe personalisht nga Sekretari i Shtetit të SHBA.

Këtë urim, e ka marrë mes të tjerash, pikërisht për këtë gënjeshtrën e Lulzim Bashës që nuk pranon humbjen, por thotë se zgjedhjet janë vjedhur.

Kështu që për zgjedhjet, Perëndimi është bindur. E vetmja pikpyetje e Perëndimit me Bashën është çështja Berisha. Shansi që Lulzim Basha të bëhet aleat i tyre, është të distancohet nga Sali Berisha.

Nëse me afrimin me Perëndimin ka parasysh këtë, pra që do të shesë Berishën, kjo ka sens. Natyrisht kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjet, po me të ardhmen e raporteve të Bashës me Perëndimin.

Nëse ai ka ndërmend të trokasë në ndonjë derë, duhet që jashtë derës të ketë deklaruar që nuk ka punë më me Sali Berishën. Nëse është i gatshëm ta bëjë këtë, edhe mund t’i hapet ndonjë derë, por jo për të afruar apo larguar zgjedhjet, por për të afruar ose izoluar Lulzim Bashën.

Ndaj e shikoj të palogjikshme përpjekjen e tij për të gënjyer pa ja kërkuar njeri. Se 13 Qershori kalon shpejt, dhe një javë është, e pas një jave do t’i duhet të mbajë premtimet . Edhe ashtu, ai ka për tu shpallur kryetar dhe nuk ka arsye të premtojë gënjeshtra që më shumë do t’i hapin telashe. Janë gënjeshtra që nuk ja kërkojnë më as demorkatët.

Ata janë të qartë që zgjedhje ka më 2025, por nuk janë të qartë me kë i fitojnë: me Bashën apo me ndonjë tjetër.