Nga Tony Blair, Evening Standart

Çdo vend i zhvilluar i G7-ës ka dy objektiva:të vaksinojë popullatën e tij; dhe të ndihmojë vaksinimin e botës. Dhe që të dyja duhen kryer sa më shpejtë që të jetë e mundur. Në të parën, Britania ka një rol shumë të madh për të luajtur.

Mbi gjysma e kombit tani është plotësisht e vaksinuar. Unë ende besoj se është e drejtë që t’u ofrojmë të vaksinuarve një liri më të madhe nga kufizimet, përfshirë udhëtimet ndërkombëtare, me disa rregulla të veçanta për numrin e vogël të atyre që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore, ose për të cilët vaksinat nuk janë efektive.

Pushimet verore jashtë vendit,nuk kanë pse të jenë plotësisht jashtë rendit të ditës. Brenda vendit, qytete si Londra mund të ndjekin shembullin e Nju Jorkut, duke lejuar për shembull disa shfaqje kulturore edhe nëse do të mbeten në fuqi kufizimet kombëtare.

Po ashtu do të ishte e një rëndësi të jashtëzakonshme kundërvënia ndaj dukurisë së hezitimit ndaj vaksinave, në rast se do të botonim të dhënat e plota për vaksinat e Pfizer dhe Astra Zeneca, jo në përqindje por në numrin e përgjithshëm, pasi besoj se ato do të tregonin efikasitetin dërrmues që kanë që të dyja vaksinat.

Por në përgjithësi, sa i përket vaksinimit, Britania ka ecur shumë mirë. Por është e qartë se me përhapjen e madhe të variantit Delta me origjinë nga India, edhe ne britanikët mbetemi të rrezikuar nga mutacionet e reja. Për këtë arsye, marrja e vaksinave nga më të prekshmit në botën në zhvillim është në interesin tonë personal.

Dhe ne nuk jemi praktikisht në pozicionin e Zelandës së Re, ku mund ta izolojmë plotësisht veten nga pjesa tjetër e botës. Njoftimi i presidentit amerikan Joe Biden për vaksinat shtesë të kompanisë Pfizer është një lajm i mirë, dhe ky shembull duhet të ndiqet nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian.

Ne kemi nevojë që brenda këtij vitit të vaksinojmë më të rrezikuarit, punonjësit e vijës së parë në spitale,dhe popullsinë kryesore urbane, për të parandaluar gjasat e shfaqjes së sa më shumë varianteve. Brenda këtij misioni,ekzistojnë 2 objektiva që ecin paralelisht.

Së pari, një sprint i menjëhershëm 2-javor për të ndarë dozat me vendet që kanë furnizime të pamjaftueshëm me vaksina për punonjësit e tyre të kujdesit shëndetësor dhe popullatat urbane në rrezik, për ta zbutur ndikimin e variantit Delta.

Së dyti, na duhet një plan 200-ditor për të zvogëluar transmetimin në çdo vend, dhe për të parandaluar shfaqjen e varianteve të reja rezistente ndaj vaksinave. Sprinti 2-javor do të zbusë ndjeshëm ndikimin e variantit Delta në sistemet e kujdesit shëndetësor duke vaksinuar 80-90 milionë punonjës të pa vaksinuar të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën.

Dështimi për ta bërë këtë mund të shkaktojë një kaos global me një madhësi ende të paparë, si dhe një numër të paimagjinueshëm vdekjesh. Varianti Delta është 40-60 për qind më i transmetueshëm sesa lloji dominues në Britani.

Dhe ne gjendemi tashmë në fillimin e një vale të tretë, pavarësisht se vaksinat po parandalojnë shtrimet masive në spital dhe vdekjet. Jashtë vendit, virusi nuk ka një pengesë të tillë, pasi vetëm 11.68 për qind e popullsisë së rritur në botë ka marrë deri tani të paktën një dozë. Ky problem duhet të adresohet pa vonesë.

Pas përfundimit të samitit të G7-ës edhe dyqind ditë na çojnë drejt 31 dhjetorit 2021, dhe deri atëherë ne duhet të kemi vaksinuar plotësisht punonjësit e shëndetësisë nëpër botë,dhe të gjithë njerëzit që banojnë në zona me dendësi të madhe, pra një total prej 2.1 miliardë njerëzish (jashtë klubit të vendeve të zhvilluara të OECD, si dhe Rusisë apo Kinës).

Kjo gjë do të shënonte një pikë kthese në menaxhimin e pandemisë, teksa do të hynim në vitin e ri me një kërcënim të reduktuar nga variantet e reja të Covid-19, dhe me një rënie të madhe të shtrimeve në spitale.

Që të dyja objektivat kërkojnë që dozat e tepërta të ndahen në mënyrë strategjike, duke shkuar në vendet që mund t’i përdorin ato, dhe në krahët e njerëzve që kanë më shumë nevojë për to.

Në një perspektivë më afatgjatë, prodhimi duhet të rritet, dhe fabrikat duhet të punojnë me kapacitete maksimale,edhe pasi të jenë vaksinuar të gjithë gjithë qytetarët në vendet e G7-ës. Po ashtu,duhettë ketë mbështetje për të ngritur kapacitetet në vendet ku do të shkojnë vaksinat.

Britania e ndërtoi në një1 muaj infrastrukturën e saj të vaksinave, dhe nuk ka asnjë arsye pse këto leksione të mos ndahen me vendet e tjera. Njerëzit që ndërtuan qendrat e vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar, duhet që të ndajnë planet e tyre me udhëheqësit shëndetësorë në të gjithë botën, dhe ndihma jonë ndërkombëtare duhet të jetë edhe më e madhe tani për të mbështetur direkt ndërtimin e qendrave të tilla kudo ku kërkohet.

Në mënyrë të ngjashme, ne duhet të vazhdojmë që ta luftojmë hezitimin në rritje ndaj vaksinave, duke u mbështetur në të dhënat e vendevetëG7-ës, të cilat tregojnë se të vaksinuarit plotësisht – pavarësisht nga marka – janë të mbrojtur nga format e rëndë apo fatale e koronavirusit.

Sigurisht, një plan nuk është asgjë pa një udhëheqje dhe përgjegjshmëri. Ai duhet kuptuar dhe zbatuar në koordinim me organizata të tjera, të tilla si OBSH dhe COVAX. Kjo është sfida për G7-ën dhe bota varet nga anëtarët që arrijnë të jenë në lartësinë e saj.

Shënim: Tony Blair, ish kryeministër i Britanisë së Madhe.