Pamjet nga India, të mijëra njerëzve në spital, dhe të të vdekurve në krematoriumet e improvizuara në natyrë kanë tronditur të gjithë botën. Këto pamje nuk ishin të rastësishme, pasi sipas të dhënave, varianti indian, ose Delta, është më infektues dhe shkakton simptoma më të rënda tek të infektuarit.

Sipas studimeve nga Skocia, të infektuarit me variantin indian janë dyfish më të rrezikuar në krahasim me variantin britanik ose Alfa. Gjithashtu sipas të dhënave nga Britania, personat që nuk janë vaksinuar, ose kanë marrë vetëm një dozë, si dhe qytetarët që kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese,  janë më të rrezikuar.

Studiuesit nga Universitetet e Edinburgut dhe Strathclyde kanë botuar kërkimet e tyre në Lancet. Sipas studiuesve, të dy vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca janë efektive kundër variantit indian ose Delta, por mARN-ja e Pfizer  është më efektive kundër mutacionit indian, raporton abcnews.al

“Ne duhet të inkurajojmë personat që të vaksinohen, në mënyrë që ata të nxitojnë për të marrë të dyja dozat”, tha Jim McMenamin, drejtori i Sistemit Shëndetësor në Skoci.

Studiuesit në dy universitetet në Skoci kanë zbuluar të dhëna specifike mbi normat e imunitetit nga vaksinat kundër mutacionit indian (Delta) dhe mutacionin britanik (Alpha).

Më specifikisht:

-Pfizer është 92% efektiv kundër variantit britanik ndërsa 79% efektiv kundër variantit indian

-AstraZeneca 73% efektive kundër variantit  britanik dhe 60% kundër variantit Indian.

Të dhënat e studimit:

– Së pari, vaksinat janë efektive dhe e vetmja mburojë për njerëzit kundër variantit Indian, i cili është më infektues. Ajo që zvogëlohet është shkalla e efikasitetit, domethënë rriten shanset që secili prej nesh të zhvillojë simptoma të rënda, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tij në planin afatgjatë.

– Së dyti, nivelet e efikasitetit të vaksinave të reja kundër koronavirusit ishin mbresëlënëse. Në raste të tjera, vaksinat fillestare kanë treguar nivele të efikasitetit  deri në 50%. Prandaj rritja e efektivitetit në më shumë se 50% ishte një “dhuratë” e papritur që po përdoret sot për të shpëtuar miliona jetë.

Së treti, pa vaksinat dhe vaksinimin e plotë të popullsisë, ne jemi plotësisht të pambrojtur nga virusi vdekjeprurës.

Së katërti, çdo vonesë në fushatën e vaksinimit, për çfarëdo arsye apo justifikimi, është e rrezikshme për përhapjen e virusit.

Së pesti, edhe kur e gjithë popullsia të jetë vaksinuar,  ne duhet të respektojmë të njëjtat masa mbrojtëse sepse mutacionet, veçanërisht indiane (Delta) e bëjnë virusin më ngjitës dhe më të rrezikshëm.

Sigurisht që ne do të vazhdojmë aktivitetet tona por do të jetë e papërgjegjshme të mos tregohemi të kujdesshëm duke marrë masa, pas një viti ku miliona persona humbën jetën  nga virusi, sistemet shëndetësore ishin në kolaps dhe  miliona mbetën të papunë.

Situata në Angli

Me 21 qershor, qeveria e Boris Johnson kishte planifikuar të lehtësonte masat dhe të hapte kufijtë. Vendimi i Boris Johnson për të zgjatur masat deri në 19 korrik  është një tregues se rreziku është ende midis nesh.

Gjatë ditëve të fundit, Britania ka shënuar nrritje të rasteve të përditshme. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e rasteve të reja dhe veçanërisht të shtruarit që janë në rrezik janë qytetarë që  ose nuk janë vaksinuar ose nuk kanë marrë të dyja dozat, raporton abcnews.al

Vaksinimi është mburoja e vetme për njerëzit kundër pandemisë Covid-19, por nuk është ilaç. Virusi do të pësojë mutacion vazhdimisht në mënyrë që të mbijetojë. Çdo mutacion do të rrisë rrezikun për njerëzit. Vaksina, veçanërisht në mungesë të ilaçeve në këtë fazë, është e vetmja rrugëdalje.

Sidoqoftë,  situata varet nga sjellja jonë, përgjegjësia që ne kemi, karakteri ynë i fortë dhe aftësia jonë për të zbatuar masat, raporton abcnews.al

Në këtë fazë të re të pandemisë, ne nuk do të heqim dorë nga takimi me të afërmit tanë por duhet të jemi të përgjegjshëm në veprimet tona, të shmangim hapësirat e mbyllura dhe veçanërisht me shumë njerëz.

Gjithashtu në momentin e parë që ne kemi një simptomë të ngjashme me Covid-19, duhet të konsultohemi me mjekun, duke shmangur sigurisht takimin me persona të tjerë. Duhet të lajmë vazhdimisht duart, të mbajmë maska afër njerëzve të tjerë dhe sigurisht distancën aty ku është e mundur.