Lulzim Basha nis ndryshimet. Partia Demokratike në datë 17 Korrik do të mbledhë Kuvendin Kombëtar. Pas zgjedhjeve për kryetarin e ri, ku Lulzim Basha mori mandatin e tretë, hapi i radhës është mbledhja e Kuvendit Kombëtar që në rendin e ditës ka tre pika, që pritet që të miratohen nga Kryesia ditën e sotme.

E para do të jetë, sipas PD-së, informimi mbi atë që e cilësojnë masakër zgjedhore në 25 Prill. E dyta ndryshimi i statutit dhe e treta, zgjedhja e këshillit të ri kombëtar, që do të thotë largim i Bujar Nishanit, që aktualisht është në krye të këtij institucioni.

VENDIMI I KRYESISE

  1. Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë, ditën e shtunë, datë 17 Korrik 2021, ora 11:00.
  2. Rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, është si më poshtë:

“1. Informimi i Kuvendit Kombëtar të Partisë mbi analizën e masakrës zgjedhore të 25 Prillit 2021 dhe përcaktimi i linjave kryesore të strategjisë politike  të Partisë Demokratike, në rolin dhe përgjegjësinë e saj në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe rikthimit të legjitimitetit të institucioneve demokratike.

  1. Vlerësimi i mundësisë për ndryshime në Statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në funksion të rritjes së eficencës së organeve të partisë apo demokratizimin e mëtejshëm të mënyrës së funksionimit të strukturave të Partisë.
  2. Zgjedhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.”.