The Economist

“Zemra e zgjedhjeve është konkurrenca, nëse e heq atë procesi shndërrohet në një  kufomë”- deklaroi muajin e kaluar presidenti i Iranit, Hassan Rouhani. Por për shumë votues iranianë, zgjedhjet presidenciale të 18 qershorit ishin më shumë si një shaka.

Në ditët para votimit, disa njerëz postuan në mediat sociale imazhet e Ebrahim Raisi, fituesit të procesit, duke debatuar jo për kandidatët e tjerë. Shumë të tjerë, ndanë një fragment nga filmi “Diktatori”, në të cilin aktori britanik Sacha Baron Cohen luan rolin e një despoti të Lindjes së Mesme. Në një moment Cohen fiton një garë atletike, pasi qëllon me pistoletë vrapuesit e tjerë.

Pra zgjedhjet nuk ishin aspak konkurruese edhe sipas standardeve të Iranit, ku pushtetin real e mbajnë klerikët e pazgjedhur nga populli. Nga gati 600 kandidatë që u regjistruan për të kandiduar, të gjithë me përjashtim të 7 emrave u skualifikuan nga Këshilli Kujdestar, përfshirë një ish-president, nënkryetar dhe kryetarin aktual të parlamentit iranian.

Këshilli, një grup klerikësh dhe avokatësh që verifikojnë kandidatët, e spastroi fushën për zotin Raisi, një klerik i vijës së ashpër dhe kreu i sistemit të drejtësisë, që mban lidhje të ngushta me udhëheqësin suprem të vendit, Ajatollah Ali Khamenei.

Më 19 qershor Raisi u shpall fitues me 62 për qind të votave. Rivalët e tij më të afërt pranuan më herët humbjen. Një kandidat tjetër i vijës së ashpër, Mohsen Rezaei, ish-kreu i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), mori 12 për qind të votave, ndërsa Abdolnasser Hemmati, ish-guvernator i Bankës Qendrore, të cilin disa iranianë e votuan thjeshtë në formë proteste mori vetëm 8 për qind të votave.

Pjesëmarrja ishte më pak se sa 49 për qind, një rekord negativ krahasuar me 73 për qind në 2 zgjedhjet e mëparshme, kur në zgjedhje morën pjesë shumë iranianë liberalë dhe të moderuar. Raisi u bëri thirrje votuesve konservatorë dhe atyre që i besojnë premtimet e tij për të zhdukur korrupsionin, fenomen i shumë-përhapur në vend.

Ashtu si Khamenei, edhe ai është kundër angazhimit më të madh me Perëndimin, dhe mendon se liritë personale duhet të shtrihen vetëm aq sa lejon ligji Islamik. Amerika vendosi sanksione ndaj tij dy vjet më parë, për shkak të përfshirjes së tij në shtypjen nga regjimi të Lëvizjes së Gjelbër pro-demokratike në vitin 2009, pas një palë zgjedhjeve të tjera të manipuluara.

Si për ironinë e fatit, njeriu që u shpall fitues atëherë, presidenti i atëhershëm në detyrë, Mahmoud Ahmadinejad, kësaj here u skualifikua. Po ashtu SHBA përmendi pjesëmarrjen e Raisi në cilësinë e zëvendësprokurorit të Përgjithshëm të Teheranit, në një “komision vdekjeje”, që urdhëroi ekzekutimet jashtëgjyqësore të mijëra të burgosurve politikë në vitin 1988.

Pra, Raisi shihet si tepër i rëndësishëm nga Amerika. Irani është goditur rëndë nga pandemia e Covid-19. Ekonomia iraniane ka pësuar dëme të mëdha si pasojë e virusit, por edhe për shkak të korrupsionit, keq-menaxhimit dhe mbi të gjitha, sanksioneve të vendosura nga Donald Trump, menjëherë pasi ai e largoi SHBA nga Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit, ose siç njihet ndryshe marrëveshja bërthamore e Iranit.

Në kundërpërgjigje të veprimeve të Trump, Irani e ka shkelur marrëveshjen në disa mënyra, mes të cilave edhe përmes pasurimit të uraniumit në nivele shumë më të larta sesa ato të nevojshme për përdorim civil. Por thuhet se bisedimet në Vjenë, që synojnë kthimin e të dyja palëve në marrëveshje, po shënojnë përparim.

Presidenti aktual Joe Biden e ka bërë të qartë se dëshiron të ri-hyjë në atë marrëveshje. Por disa analistë në SHBA, druhen se zgjedhja e zotit Raisi si president, do t’i vështirësojë punët. Këshilltarët e presidentit iranian, mund të përfshijnë ideologë që mund t’i vështirësojnë negociatat.

Gjithsesi deri tani Khamenei i ka mbështetur bisedimet që po mbahen në Vjenë. Dhe në debatin përfundimtar presidencial, vetë Raisi tha se ishte i hapur për ta futur sërish Iranin në marrëveshje (për sa kohë që përmbushen interesat e Iranit).

Një version optimist i presidencës së tij, do të bënte që Irani të përfitojë ekonomikisht nga një marrëveshjeje e ripërtërirë, ndërsa shpërndarja (deri tani e ngadaltë) e vaksinave anti-Covid-19 mund të çojë në një rimëkëmbje nga pandemia.

Por nga ana tjetër zgjedhja president e Raisi, mund të jetë gjithashtu një paralajmërim i ndryshimeve jo-liberale në sistemin politik hibrid të Iranit. Edhe pse klerikët janë në krye të vendit, qeveria është përpjekur të mburret prej kohësh me zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e lartë, për të forcuar pretendimin e saj për legjitimitet.

Por tashmë fasada demokratike është shkatërruar. Reformistët dhe të moderuarit e udhëhequr nga Rouhani bënë pak përparim gjatë dy mandateve të tij si president (maksimumi i lejuar sipas kushtetutës), pasi kleri dhe forcat e sigurisë e forcuan kontrollin e tyre.

Para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, kandidatët me mendësi reformatore u skualifikuan në masë. Në një regjistrim të dekonspiruar në fillim të këtij viti, Ministri i Jashtëm Muhammad Javad Zarif, tregonte se si ishte mënjanuar shpesh nga Garda Revolucionare, një nga institucionet më të fuqishme në vend.

Mbajtja e zgjedhje të tilla të manipuluara, është një hap tjetër drejt konsolidimit të pushtetit nga fanatikët e vijës së ashpër. Ka shumë spekulime mbi atë që mund të ndodhë më pas. Disa presin një spastrim të mëtejshëm të liberalëve nga institucionet shtetërore.

Të tjerët mendojnë se do të ndodhin ndryshime strukturore, pasi Khamenei, që është 82 vjeç, po përgatit vendin për pasardhësin e tij. Ali Vaez i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, beson se Khamenei mund të përpiqet ta shndërrojë sistemin presidencial të vendit në një sistem parlamentar, ose të zëvendësojë rolin e udhëheqësit suprem me një këshill.

Ajo që është e qartë, është se teokratët e pazgjedhur të Iranit dhe Garda Revolucionare, janë lodhur duke u sfiduar nga reformistët, të moderuarit dhe pragmatistët, që zgjidhen shpesh nga votuesit për t’i përfaqësuar ata. Dhe nuk ka asnjë dyshim se regjimi do të mbetet armiqësor ndaj ndikimit perëndimor, edhe nëse ripërtërihet marrëveshja bërthamore.

Fitorja e Raisi parathotë gjëra të këqija për çdo shpresë të liberalizimit në Iran. Republika Islamike duket gjithnjë e më shumë si një autokraci islamike, e sunduar nga ligji i Zotit, kleri dhe Garda Revolucionare.