Hungaria nuk ka më vend në Bashkimin Evropian. Deklarata e fortë erdhi nga kryeministri holandez Mark Rutte. Reagimi vjen pak orë pasi parlamenti hungarez kaloi një ligj të ri të diskutueshëm që ndalon përmbajtjen LGBTQ në shkolla.

Në fillim të këtij muaji parlamenti i Hungarisë miratoi legjislacionin i cili ndalon të gjitha materialet arsimore dhe programet për fëmijët që konsiderohen të promovojnë homoseksualizmin, ndryshimin e gjinisë dhe konceptin e seksualitetit që devijon nga ai i caktuar një personi në lindje.

Vendimi shkaktoi kritika të forta nga grupet e të drejtave të njeriut dhe partitë e opozitës. Në ditën që kaloi, turmat u mblodhën në Budapest jashtë parlamentit për të protestuar kundër projekt-ligjit.

Legjislacioni është në një varg politikash të mbështetura nga udhëheqësi hungarez Victor Orban, një nacionalist i vijës së ashpër që është kundër njerëzve LGBTQ dhe imigrantëve.

Mark Rutte

“Për mua, Hungaria nuk ka më punë në BE”, tha Rutte, teksa mbërriti në një samit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel.

“Por, unë nuk jam i vetmi që e vendos këtë, ka edhe 26 të tjerë (vendet e BE-së). Kjo duhet të bëhet hap pas hapi”, tha Rutte.

Reagimi i ashpër pasoi një replikë nga Orban i cili u tha gazetarëve në Bruksel se ligji është keqkuptuar.

“Ai nuk është kundër homoseksualitetit. Bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve dhe prindërve. Unë jam një luftëtar për të drejtat. Unë kam qenë dhe një luftëtar i lirisë në regjimin komunist” vazhdoi Orban.

“Homoseksualiteti u ndëshkua dhe unë luftova për lirinë dhe të drejtat e tyre. Kështu që jam duke mbrojtur të drejtat e djemve homoseksualë, por ky ligj nuk ka të bëjë me këtë. Ka të bëjë me të drejtën e fëmijëve dhe prindërve”.

Të martën, 14 nga 27 vendet e BE shprehën “shqetësimin e tyre të thellë” për ligjin në një deklaratë të përbashkët të iniciuar nga Belgjika.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen denoncoi edhe ligjin hungarez. Duke folur gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Von der Leyen tha se ligji “qartësisht diskriminon njerëzit mbi bazën e orientimit të tyre seksual” dhe shtoi:

“Shkon kundër të gjitha vlerave, vlerave themelore të Bashkimit Evropian dhe ky është dinjiteti njerëzor, është barazia dhe janë të drejtat themelore të njeriut”.

Von der Leyen tha se ajo kishte udhëzuar Komisionerët e BE-së t’u shkruajnë autoriteteve hungareze duke shprehur shqetësimin e BE mbi projekt-ligjin para se të hyjë në fuqi.