Sead Hoti, është 28 vjeç, dhe prej dy vitesh punon si mjek i përgjithshëm në spitalin e Durrësit.

Këtë vit ai fitoi specializimin në psikiatri, pranë QSUT-së, por pavarësisht këtij suksesi, ai është  detyruar të lërë punën.

Kjo për shkak të vendimit të ministrisë së Shëndetësisë, që ka urdhëruar ndërprerjen e kontratave në vendet ku janë punësuar.

Për “ABC” Seadi thotë se nëse Ministria nuk gjen një zgjidhje, do detyrohet të marrë rrugën për në Gjermani.

“Jemi vendosur para faktit të kryer që nga puna pushohemi me një urdhër të menjëhershëm. Pasojat sociale janë shumë të mëdha, jo vetëm për ne që na ndërpritet një burim ekonomik, por afatgjate edhe për popullsinë e vendit. Sepse vendi ka nevojë për mjekë sidomos për mjekë të specializuar.

Në momentin që pushohemi nga puna atëherë një pjesë e jona e ndërpresin këtë specializim dhe formohet një mungesë mjekësh, ndërsa alternativa e dytë që e them me keqardhje është se një pjesë e jona do të detyrohet të drejtohet drejt Gjermanisë”, thotë ai.

https://youtube.com/watch?v=mZxc6Xhj9MY%3Ffeature%3Doembed

Dhe pse shumë prej tyre kanë punuar në vijën e parë të Covid, ata nuk ndihen të vlerësuar. Një grup prej tyre kanë paralajmëruar protesta nëse ministria nuk e rishikon vendimin për ndërprerje e kontratës së punës. Ata thonë se një pjesë e tyre janë familjarë, dhe nuk kanë se me çfarë të sigurojnë të ardhurat për 4 vitet në vijim.

“Ne jemi mjekë mbi të gjitha, jemi familjarë si edhe kryefamiljarë. Mendoj që ka vend për tu parë kjo shkresë dhe sigurisht për tu anuluar dhe duhet një takim me Ministren e Shëndetësisë”, thotë ajo.

Rreth 1 mijë specializantë penalizohen nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë. Ky rregull ka qenë vetëm për specializantët në vitin e parë, por urdhri i ri i prek të gjithë.

Pra asnjë specializant nuk duhet të punojë gjatë katër viteve të specializimit.