Gjatë një operacioni për kapjen e personave në kërkim, RENEA mbrëmjen e djeshme në Shkodër ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të plagosur 52-vjeçarin Ardjan Narkaj, i cili ishte dënuar me 21 vite burg për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në 2008, por që kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë.

Dinamika, si ndodhi plagosja?

Pas informacionit mbi lëvizjet e Narkajt, RENEA zbarkoi në Shkodër duke organizuar operacionin për arrestimin e tij, por 52-vjeçari nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, madje qëlloi kundër efektivëve me armë zjarri, të cilët u përgjigjën duke e lënë të plagosur.

Narkaj ka disa plagë në trup, ndërsa nga efektivët nuk ka asnjë informacion nga policia e shtetit nëse ka të lënduar.

Gazetari i “ABC”, Simon Shkreli raporton se efektivët e RENEA-s e kanë dërguar fillimisht në spitalin e Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës te “Trauma” pasi është në gjendje të rëndë për jetën si pasojë e plagëve që ka marrë.