Nisi me deklarata të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fushatës elektorale se kryetari i opozitës shqiptare ka disa vila të padeklaruara, përfundoi në dyert e gjykatave. Por, duke qenë se kemi të bëjmë me persona me poste publike, nisi edhe “ping-pongu” mes hallkave të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit, padinë për shpifje të kryetarit të PD, Lulzim Basha, sot e ka përcjellë për në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Atje do të gjykohet kjo “patate e nxehtë” mes dy figurave të rëndësishme politike të opozitës dhe qeverisë vendore të kryeqytetit.

Ja njoftimi i Gjykatës së Lartë:

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në seancën gjyqësore të datës 27.07.2021, mbi çështjen penale nr. 52810-227-2021, në lidhje me çështjen e ngritur për njësimin e praktikës gjyqësore, vendosi të mbahet ky qëndrim:

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm të parashikuar nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e akuzave penale, në të cilat akuza në gjykim përfaqësohet nga prokuroria si dhe për gjykimin e akuzave penale të viktimës akuzuese, të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm, sipas nenit 59 të K.Pr.Penale.

Në lidhje me çështjen, Kolegji vendosi:

Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lendore ndërmjet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shqyrtimin e çështjes penale me nr.227/2021 Regj. Them, datë regjistrimi 30.03.2021 me viktimë akuzuese Lulzim Basha, kundër të akuzuarit Erion Veliaj për veprën penale ‘Shpifja’ parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, duke përcaktuar Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Pare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes.

Veliaj akuzon Bashën: Mbylli protestën e Astirit në këmbim të 4 vilave, u pasurua me kunatin

PADIA E BASHES

Në padi argumentohet se Veliaj, si drejtues i fushatës së Partisë Socialiste për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete, duke shpifur për kundërshtarin politik, me qëllim që t’i dëmtojë imazhin zotit Basha. Burime nga PD bëjnë të ditur se padia konsideron si 3 shpifje të Erion Veliajt akuzat se:

• Kryetari i PD u bë me 4 shtëpi gjatë tërmetit dhe pandemisë.

• Kryetari i PD ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë.

• Kryetari i PD ka ndërtuar kate pa leje.

“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është Kryetar i PD në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS”, – thuhet në padinë e ngritur për shpifje ndaj Erion Veliajt.