Arrestimi i grupit të trafikantëve pasditen e së martës në Tiranë erdhi nga infiltrimi i agjentëve të policisë si shpërndarës droge. “ABC” mëson se ata kishin rënë fillimisht në gjurmët e shpërndarësve të vegjël në zonën te “Varri i Bamit”.

Hetimi çoi në identifikimin i drejtuesve të grupit të trafikut. Fillimisht u mbajt në vëzhgim biznesi i Gentian Kores, i cili jepte makina me qira. Nën monitorim u mbajt edhe automjeti tip “Volvo” që lëviznin anëtarët e këtij grupi. Policia kishte arritur të mësonte se kur do të shitej sasia prej 1 kg e kokainës. Blerësit ishin agjentë të infiltruar.

Por fillimisht forcat operacionale dështuan për kapjen e trafikantëve. Mjeti “Benz” që drejtohej nga Gazmir Cani nuk iu bind urdhrit të policisë duke u larguar. Të irrituar nga dështimi, ata ushtruan dhunë ndaj gazetarin Ergys Gjençaj, i cili rastësisht ishte në vendngjarje dhe po filmonte aksionin. Pas rreth 30 minuta 4 trafikantët u arrestuan. Në kërkim është një tjetër person.

Drejtuesi i “Benz”-it deklaroi se nuk iu bind urdhrit për të ndaluar pasi nuk besonte se ishin policë. Hetuesit dyshojnë se droga ndahej në doza të vogla tek biznesi i makinave me qira të Gentian Kores, aty ku dhe u krye aksioni i policisë.

Më pas droga shpërndarja me kuti picash. Prokuroria dhe SHÇBA kanë nisur hetimin ndaj efektivëve të cilët dhunuan gazetarin Gjencaj. Ky i fundit ishte në prokurori ku dorëzoi pamjet e filmuara. Në pranga përfunduan Gentian Kore, Taulant Çoku, Altin Gega, Erjon Prengaj dhe Gazmir Cani. Gjatë operacionit, forcat operacionale sekuestruan 1 kilogram e 128 gramë kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.